Futboll

Video/ Gola kuqezi kudo në Europë, kryevepra mban firmën e Muçit në Poloni

Golat kuqezi kanë pushtuar Europën këtë të shtunë. Kanë shënuar disa nga futbollistët e Kombëtares. Përveç Rei Manajt me Barcelonën, rrugën e rrjetës e kanë gjetur edhe mesfushorët Qazim Laçi, Enis Çokaj dhe Kristi Qose, por kryevepra e ditës vjen ga Polonia, nga këmbët e Ernest Muçit.

Në ndeshjen e parë të kampionatit, ish-sulmuesi i Tiranës u aktivizua titullar me Legian dhe ia shpërbleu trajnerit besimin me golin e fitores në pjesën e parë. Muçi realizoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke ngritur peshë gjithë stadiumin. Ishte një gol i rëndësishëm për Muçin, që i dha 3 pikët Legias ndaj Vislës, duke iu përgjigjur kështu edhe skeptikëve për nivelin e tij.

Gola të rëndësishëm ka shënuar edhe Qazim Laçi. Mesfushori shënoi të dy golat në barazimin 2-2 të Ajaçios në fushën e Tuluzës, në javën e parë të kampionatit të kategorisë së dytë në Francë. Edhe pse është një mesfushor, dibrani realizon shpesh gola me gjuajtjet nga distanca.

Në Kroaci ka shënuar Enis Çokaj. Ai është autori i golit të parë për Lokomotivën e Zagrebit në fitoren 2-1 ndaj Sllaven Belupos. Shkodrani realizoi me një gjuajtje me kokë brenda zonës. Në Çeki ka tundur rrjetën mesfushori Kristi Qose, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë