Një premtim i bërë dy herë. Lukas Podolski ka firmosur për Gornik Zabrze, skuadrën polake për të cilën ka bërë tifo gjithmonë. Do të jetë kampioni i parë i botës që luan në kampionatin polak, ku 10 mijë vetë e kanë pritur në prezantim. Edhe për ta falënderuar, sepse për të luajtur me Gornik, Podolski refuzoi një kontratë të majme në Meksikë.
Lukas duhej të mbante premtimin që së pari i bëri gjyshes së tij (ndërroi jetë në 2019-ën) dhe pastaj një miku, Krzysztof Maji, ish-drejtor sportiv i Gornik, i ndarë nga jetë për shkak të një infarkti në moshën 39-vjeçare. “Nuk është mister fakti që për të luajtur këtu dhe për të realizuar ëndrrën time, hoqa dorë nga shumë para”, – ka pohuar Podolski.

Podolski në karrierën e tij ka luajtur në Gjermani, Angli, Itali, Japoni dhe Turqi. Ku do ku ka shkuar, është vlerësuar për mënyrën e sjelljes dhe të jetës. Pak muaj pas fitimit të Botërorit, “Bild” bëri një sondazh, ku u kërkonte lexuesve të vet të zgjidhnin sportistin më të dashur: Podolski doli i 10-i (i pari ishte Klose), duke lënë pas figura si Sebastian Fetel, Mikael Shumaker dhe Stefi Graf.
Lukas kudo ka treguar se e ka gati batutën (një gazetar e pyeti si quhej gjysja e tij dhe Podolski, i surprizuar nga pyetja, iu përgjigj: “Unë e thërras gjyshe”), por mbi të gjitha se është një njeri i ndershëm dhe social. Pak muaj më parë shiti rreth 100 mijë bilata virtuale të skuadrës së hokeit në akull Kölner Haien, për ta ndihmuar ekonomikisht.
Gjatë përvojës në Japoni, ku luajti me Koben në periudhën 2017-2020, Podolski lidhi miqësi me Hakuho Sho, i cili konsiderohet Mesi i sumos, sportit popullor në vend. Sho është i gjatë 190 centimetra dhe peshon 160 kilogramë, na karrieërë ka fituar 83% të ndeshjeve, ka më shumë se 1000 fitore. “Sapo mbërrita në Japoni, u dashurova me sumon, – tregonte Podolski në atë kohë. – Doja të stërvitesha me ta, është një çmenduri ajo që bëjnë. Më mësuan disa kapje, por ndaj atyre kolosëve nuk mund të bësh asgjë”. Disa herë sulmuesi u stërvit me kampionët më të mëdhenj në botë të sumos.

Në 2016-ën Lukas Podolksi ka publikuar, bashkë me reperin gjerman Mo-Torres, një këngë dedikuar Këlnit (“Liebe deine Stadt”, që përkthehet “Duaje qytetin tënd”), për të nderuar qytetin, që kur ishte fëmijë, e priti bashkë me prindërit. Përveç këtyre, në muajt e fundit ai nuk pati asnjë problem të drejtonte gishtin drejt ish-shokut të skuadrës te Gjermania, Kristof Metzelder, i dënuar me 10 muaj për shpërndarje fotosh dhe videosh pedopornografike.
“Nuk arrij ta kuptoj si mund të jepet një dënim prej 10 muajsh për një akuzë të tillë, – komentoi Podolski. – Nuk është çështja të japësh një sinjal, sepse ka gabuar një personazh publik, bëhet fjalë për një fakt dhe një vepër penale, që duhet ndëshkuar më ashpër. Kushdo që mëkaton kundër fëmijëve, duhet ndëshkuar maksimalisht nga ligji. E përsëris, dëmtohen fëmijët, prindërit dhe familjet e tyre. Ndëshkimi nuk i përgjigjet veprës së kryer.”
Tani, pasi përfundoi aventurën në Turqi me Antaliasporin, Podolski mund të zgjidhte. Nga një anë oferta nga Kueretaro në Meksikë, që i ofronte një kontratë 2-vjeçare, me një pagesë 2 milionë euro në vit (përveç interesimit nga Katari, Amerika dhe India), dhe nga ana tjetër propozimi për më pak se gjysmë milioni në vit nga Gornik. Gjyshja e tij jetonte më pak se tre kilometra larg stadiumit, miku i tij Maji punonte për atë klub. Podolski u kishte premtuar të dyve se një ditë do të luante aty.

“Do të jetë stacioni i fundit i karrierës, nuk kanë të bëjnë paratë, duhej t’u dhuroja diçka njerëzve. Dua të lë një shenjë, dua që njerëzit këtu të thonë se jam një djalë i zoti, brenda dhe jashtë fushe. Të gjithë pjesëtarët e familjes sime bëjnë tifo për këtë klub, duhet të bëj gjithçka”, – ka thënë sulmuesi. Dhe ky është një premtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje