Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për revistën zyrtare të UEFA-s “Direct”. Mes të tjerash ai thekson se pret me padurim momentin historik, kur Tirana do të mirëpresë finalen e parë të Ligës së Konferencës në vitin 2022. Ja disa nga pjesët më të rëndësishme të intervistës së presidentit të FSHF-së:
Si po i përjeton Shqipëria dhe futbolli shqiptar këto kohë të vështira?
Shqipëria ka kaluar një situatë shumë të vështirë për sa i përket pandemisë. Në muajt mars dhe prill ishim në mbyllje totale dhe futbolli u ndërpre. FSHF akordoi nga dy paga mujore për çdo individ që jeton me futbollin, futbollistë, trajnerë, arbitra, menaxherë, staf mjekësor dhe stafet administrative të klubeve. Në maj u rikthyem të luajmë nën rregullat e protokolleve shëndetësore, duke përfunduar me sukses aktivitetet e edicionit 2019-2020. Pavarësisht nga kufizimet financiare të sjella nga situata, kemi arritur të mbijetojmë, falë mbështetjes së madhe që UEFA dhe FIFA na kanë dhënë.

A ka qenë në gjendje futbolli shqiptar të japë kontribute shoqërore dhe solidare në këtë periudhë?
Për fat të keq, Shqipëria vetëm 3 muaj para shfaqjes së Covid-19 në vend mori një goditje të fortë nga një tërmet shkatërrimtar, që mori 54 jetë njerëzish, duke shkaktuar dëme të mëdha. Futbolli tregoi solidaritet të madh, duke dhuruar ushqime gjatë ditëve të para të emergjencës. Krijuam një fond solidariteti, ku kontribuuan shumë federata homologe europiane dhe 4 shtëpi të shkatërruara nga tërmeti u ndërtuan nga e para.
Cili është kujtimi i parë që ju vjen në mendje për futbollin kur keni qenë i ri?
Një ndeshje e Kupës së Kampionëve për klube në vitin 1978 patjetër që më la përshtypje të shkëlqyera, fitorja e Vllaznisë 2-0 ndaj Austrisë Vjenës. Ishte hera e parë që pashë një ekip shqiptar të luante kundër një ekipi europian dhe ishte një kënaqësi e dyfishtë, sepse ekipi im i preferuar fitoi.
A keni pasur një lojtar të preferuar dhe një ekip të preferuar?
Futbollisti im i preferuar ka qenë i madhi Diego Armando Maradona, mbase dhe për arsye të emrit të njëjtë. Skuadra e preferuar është Vllaznia në Shqipëri dhe Milani në Europë.
Si u futët në pjesën administrative të kësaj loje?
Rrugëtimi im në botën e futbollit fillon në fund të viteve ‘90, kur kam sponsorizuar ekipin e qytetit tim Erzenin, dhe Teutën e Durrësit, qyteti ku jetoj dhe kam një pjesë të bizneseve. Disa miq, drejtues klubesh profesioniste, me propozuan të kantidoja për postin e presidentit të Federatës. Megjithëse hezitova në fillim, pranova dhe fitova zgjedhjet.
Futbolli shqiptar ka pasur suksese të rëndësishme kohët e fundit. Cilat kanë qenë arsyet e këtij progresi?
Vërtet kemi ndryshuar shumë gjëra. Më është dukur vetja si në ëndërr, kur jam gjendur me ekipin kombëtar në Euro 2016. Në të njëjtën kohë më duket e pabesueshme kur futem në stadiumin tonë kombëtar dhe pyes veten nëse vërtetë e kemi bërë ne këtë. Është fryt i politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA.

Shqipëria do të presë finalen e parë të kompeticionit më të ri të UEFA-s, atë të Ligës së Konferencës…
Padyshim që ndihemi krenarë. Ishte një lajm i madh për Federatën, për futbollin dhe për gjithë Shqipërinë. Nga pritja e një eventi të përmasave të tilla do të përfitojë mbi të gjitha Shqipëria. Po përgatitemi me shumë seriozitet dhe finalja e parë e këtij kompeticioni në Tiranë do të jetë një moment historik. Do të organizojmë një finale të cilësisë më të lartë. Besoj fort se do të kemi sukses dhe do të demonstrojmë edhe një herë kontributin e Shqipërisë në futbollin europian. Shqipëria dhe shqiptarët janë të njohur për mikpritjen e tyre.
Çfarë dëshire keni për futbollin në Shqipëri?
Në veçanti, dua të shoh sa më shumë vajza dhe djem të argëtohen duke luajtur. Ky vizion është pasioni im dhe objektivi im personal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje