Bota

Foto-Video/ Shpërthim në një fabrikë kimike në Gjermani. Ka viktima, të plagosur dhe të zhdukur

Një shpërthim masiv ndodhi mëngjesin e së martës në një fabrikë kimike në qytetin gjerman të Leverkusenit. Një re e madhe e zezë është ngritur nga zona e prekur. Impianti në fjalë duket se është një qendër e djegies së mbetjeve të rrezikshme në rrethin Buerrig.

Siç raportohet nga policia e Këlnit, një person ha humbur jetën, 16 persona u plagosën (katër prej tyre rëndë), ndërsa 4 janë të zhdukur.

Mbrojtja civile gjermane e klasifikoi zjarrin si “shumë të rrezikshëm”, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë brenda në shtëpi dhe të mbyllin dritaret, sipas mediave gjermane. Sipas dëshmive në vend, disa ekipe zjarrfikësish dhe teknikësh kanë ndërhyrë për të zbuluar nivelin e ndotjes.

Shumë nga autostradat kryesore të afërta janë mbyllur nga policia. Reja e tymit po lëviz në veriperëndim drejt qyteteve Burscheid dhe Leichlingen.

Policia e Këlnit, tha se ata nuk kishin informacion mbi shkakun ose shkallën e shpërthimit, por që një numër i madh i policisë, zjarrfikësve, helikopterëve dhe ambulancave ishin vendosur në vendin e ngjarjes.

Ata kërkuan nga të gjithë banorët që të qëndrojnë brenda dhe paralajmëruan njerëzit nga jashtë Leverkusenit që të shmangin rajonin. Vendi i shpërthimit, parku kimik, ndodhet shumë afër brigjeve të lumit Rhine.

Zjarri tani kërcënon të përhapet në rezervuarin aty pranë, që mban 100,000 litra lëng të ndezshëm, që mund të shkaktojë një shpërthim të dytë. Kjo është raportuar nga gazeta lokale “Koelner Stadtanzeiger”. Një zëdhënës i kompanisë “Currenta”, i tha gazetës “Bild” se “përmbajtja e rezervuarit përbëhej nga lëngje të ndezshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë