Pas një kohe të konsiderueshme, Presidenti i Republikës Ilir Meta i shkarkuar me shumicë votash nga Kuvendi i legjislaturës së kaluar, ka thyer heshtjen.
Përmes një postimi në Facebook, Meta ka kërkuar ndaljen e fenomenit të mpakjes dhe shpopullimit të vendit nga fëmijët dhe të rinjtë.
“Zbrazja e Shqipërisë nga fëmijët dhe të rinjtë vijon të jetë një fenomen thellësisht shqetësues, me tendencë të rrezikshme për t’u kthyer në një fatkeqësi kombëtare.
Raporti më i fundit i EUROSTAT, na rendit të tretët në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve, që zënë gati 34.3% të totalit të kërkesave nga vendi ynë, shifër rekord në raport me popullsinë.
Prej kohësh kam dhënë alarmin, referuar edhe konkluzioneve të organizatave të tjera prestigjioze ndërkombëtare, mbi nevojën e marrjes së masave urgjente për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve dhe rikthimin e shpresës në Shqipëri.
Sepse edhe sipas Bankës Botërore, të paktën 100,000 fëmijë në vendin tonë, nuk e kanë të garantuar një vakt ushqimi në ditë.
Ndërsa referuar indeksit “Jashtë Hijes” të “The Economist Intelligence UNIT”, në analizën e mbi 40 vende të botës, Shqipërisë i jepet zero pikë për mekanizmat jofunksionalë të saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale…”, shkruan Meta në Facebook
Presidenti i Republikës apelon domosdoshmërinë për të shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve për t’i thënë ‘ndal mpakjes dhe shpopullimit të Shqipërisë nga fëmijet dhe të rinjtë”.
“Duhet të bëjmë gjithçka, ashtu siç na porosit edhe Papa Françesku, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve”, shkruan Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje