Politike

Shpifja ndaj politikanëve kompetencë e Gjykatës së Posaçme, padia e Bashës ndaj Veliajt përfundon në SPAK

Lulzim Basha u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në lidhje me padinë e ngritur për shpifje ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Padia lidhet me fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, ku sipas Bashës, në cilësinë e drejtuesit të fushatës së Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka bërë tre akuza që ai i cilëson si të rreme. Mes këtyre akuzave edhe deklaratën sipas të cilës kryebashkiaku i Tiranës shprehej se Lulzim Basha ishte bërë me 4 vila.

Padia u ngrit më 30 mars fillimisht në Gjykatën e Tiranës, ndërsa kjo e fundit vuri në dyshim kompetencën e saj në lidhje me këtë çështje, duke arsyetuar se akuza mund të bënte pjesë të kompetencat lëndore të Gjykatës së Posaçme.

Këtë të enjte ishte seanca e ndërmjetësimit për pajtim. Lulzim Basha u paraqit personalisht, ndërsa Erion Veliaj u paraqit me avokat. Seanca e pajtimit dështoi, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor, ku seanca e parë do të mbahet më 24 shtator.

Ping-pongu mbi kompetencat u zgjidh më 27 korrik nga Gjykata e Lartë që përmes një vendimi unifikues ja kaloi çështje të tilla, Gjykatës së Posaçme. Gjykata e Larrta vlerësoi se për akuzat për shpifje që ngrihen ndaj politikanëve, Gjykata e Posaçme është kompetente.

“Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale ‘Shpifja’ duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë