Politike

Shengeni shndërrohet në “Ballkani i Hapur”, Rama thumbon edhe Kurtin: Për Shqipërinë, nisma është strategjike

Mesazhi i përçuar nga Kryeministri Edi Rama në gjuhën shqipe në Forumin Ekonomik të Shkupit u përqëndruar në dy drejtime. I pari për të treguar, sipas tij, avantazhet dhe mundësitë që do të ofrojë për qytetarët e Ballkanit lëvizja e lirë dhe i dyti iu adresua skeptikëve, kritikëve dhe ngurruesve për t’iu bashkuar kësaj nisme.

“Pse na duhet lëvizja e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve? Pse duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri siç kemi ndenjur për 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend në BE ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet jo thjesht nga çfarë bëjmë ne, por nga çfarë mendojnë të tjerët”, deklaroi Rama.

Kryeministri iu referua një raporti të Bankës Botërore, që thotë se nëse vendet e rajonit aplikojnë këto liri të lëvizjes, Prodhimi i Brendshëm Bruto i ekonomive të tij mund të rritet deri në 6.7 për qind në vit.

Për këto arsye, Rama tha se nuk ka asnjë arsye që vendet të presin integrimin në Bashkimin Europian për të gëzuar lëvizjen e lirë, kur pas integrimit do të bëhet po e njëjta gjë.

“Ne duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë tani. S’kemi pse presim. Nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo e Serbisë. Kushdo që dëshiron të na bashkohet është i mirëpritur që të bashkohet, por ne nuk kemi kemi luksin që të presim më”, vijoi ai.

Rama e cilësoi nismën si strategjike për Shqipërinë.

“Për Shqipërinë kjo nismë është strategjike dhe brenda vitit të ardhshëm synojmë që i gjithë sistemi i qarkullimit të jetë 100 për qind i njësuar mes nesh, ashtu si në modelin e BE. Kemi rënë dakord që do të fusim edhe sistemin e integruar të pagesave të TVSH”, u shpreh ai.

Drejtimi i dytë i mesazhit u adresua ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes.

“Rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës dhe kush nuk e kupton se sa të vegjël jemi për të rritur ekonomitë tona me vende pune të mirëpaguara, është i dënuar që të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën, por të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në rajon një shembull kuptimplotë, që është shembulli i BE”, u shpreh ai.

“Kush thotë që kjo nismë është e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë dhe për t’i dhënë hegjemoni Serbisë, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe harorn se po të nisemi kështu, duhet të themi që edhe BE është një Jugosllavi e madhe”, tha ai.

Arsyen se përse nisma kundërshtohej nga Kosova tha se e dinte, megjithëse shprehu publikisht se ishte kundër këtij qëndrimit të Prishtinës. Por, ajo që nuk kuptonte ishte qëndrimi kundër i Malit të Zi dhe Bosnjes.

“Nuk e kuptoj se për çfarë mendohet Mali i Zi? Nuk e di se pse mendohet Bosnja! E di pse mendohet Kosova dhe jam absolutisht kundër për këtë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë