Politike

Zaev, Rama dhe Vuçiç e qortojnë BE-në: S’kemi pse presim lëmoshë prej saj

Në mesazhet e përcjella në Forumin Ekonomik të Shkupit, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç, ndonëse me doza të ndryshme kritike shigjetuan edhe Bashkimin Europian. Më i ashpri ishte Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

“Dështimi i Bashkimit Europian për të përmbushur premtimet e veta për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të tjerë me Malin e Zi dhe Serbisë, si dhe mosliberalizimi i vizave me Kosovën janë vendime që bien ndesh me vetë idenë e BE”, tha Zaev.

Zaev përsëriti se vendet e Ballkanit po penalizohen nga përplasjet e brendshme të Bashkimit Europian dhe nismën “Ballkani i Hapur” e sheh si një mundësi të mirë për të mos pritur më Brukselin.

“Ne nuk mund të presim që të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Europian të zgjidhen që ne, qytetarët tanë dhe ekonomia jonë të shkojë përpara”, tha ai.

Me doza kritike më të buta, BE-në e shënjestroi edhe Presidenti serb.

“Ajo që ne po bëjmë është që të tregojmë se po lëmë të kaluarën pas, se po shohim përpara drejt përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve tani. Kjo nuk është kundër askujt, por ka për qëllim që qytetarët tanë të jetojnë më mirë. Pse të presim lëmoshë kur ne vetë jemi në gjendje të krijojmë shkallën më të lartë të rritjes ekonomike”, tha ai.

Synimi i vendosur, sipas Vuçiç është që më 1 janar 2023 të trija vendet të zbatojnë regjimin e katër lirive, të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, ashtu siç parashikon lëvizja e lirë e Bashkimit Europian.

Vuçic tha se nuk është e vërtetë që nga kjo nismë përfiton më shumë Serbia, por se bashkëpunimi ofron mundësi të pafundme për të trija vendet.

“Të mos mendojmë se të tjerët do vijnë këtu dhe të punojmë për ne dhe të presim Bashkimin Europian kur të jetë gati”, tha ai.

Mesazh drejtuar Brukselit dha edhe Edi Rama, ndonëse me doza shumë herë më të buta se në deklaratat e bëra në takime të tilla ndaj Brukselit.

“Ne nuk duam te jetojmë në të shkuarën por duam të projektohemi në të ardhmen, përmes një nisme që sjell në këtë rajon shembullin e Bashkimit Europian dhe 4 liritë themelore: të lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve. Përse duhet të presim ne të mbyllur brenda kufijtë tanë me kurriz nga njëri-tjetri siç kemi ndenjur 500 vite ndërkohë që integrimi europian ka kohën dhe kufizimin e vet jo vetëm nga ç’bëjmë ne, por edhe ç’mendojnë të tjerët”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë