Forumi Ekonomik i Shkupit nuk prezantoi vetëm emrin e ri që do të zëvendësojë termin Shengeni Ballkanik, por edhe vendimet konkrete dhe afatet që synojnë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që këto vendime të hyjnë në fuqi.
Emri i ri, thelbi mbetet i njëjtë. “Ballkani i Hapur” ka në themele katër liritë e lëvizjes, që janë edhe baza e të njëjtit sistem që aplikohet brenda Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së kapitalit dhe liria e lëvizjes së shërbimeve.
Marrëveshja aktuale nuk synon zbatimin e menjëhershëm të këtyre lirive, por reduktimin e burokracive kufitare dhe lehtësimin e lëvizjes për të katër këto liri, me idenë që autoritetet përkatëse dhe tregjet të përgatiten për hapin tjetër.
Hapi tjetër, sipas asaj që njoftoi Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të duhet të hidhet më 21 janar 2023. Ky është afati i vendosur prej tij që kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të zhduken për katër liritë në fjalë.
Platforma është konceptuar sipas modelit të lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian, por e përshtatur për kushtet e rajonit. Si fillim do të ketë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit, do të reduktohen burokracitë në kufi, koha e pritjes nëpër dogana dhe do të lehtësohet lëvizja e krahut të punës.
Mes marrëveshjeve të rëna dakord për këtë qëllim është edhe lehtësimi i procedurave për pajisjet me leje pune të qytetarëve të vendeve respektive, për të shkuar drejt njohjes reciproke të lejeve të punës të lëshuara nga vendet përkatëse.
Këto janë temat më pak komplekse dhe për të cilat është gjetur dakordësia mes Ramës, Zaev dhe Vuçiç. Për tema më komplekse, Kryeministri i Shqipërisë njoftoi se parimisht ka një dakordësi për disa. Mes tyre është edhe TVSH e integruar, që do të thotë përjashtimi nga pagesa e dyfishtë e TVSH-së për disa mallra që do të qarkullojnë mes tre vendeve. Kjo pritet të kërkojë më shumë kohë se 1 janari 2023.
Synimi tjetër i “Ballkanit të Hapur” është që së brendshmi të zbusë tensionet etnike dhe së jashtmi të përcjellë një mesazh të fortë drejt BE-së për investime madhore dhe për t’i dhënë se rajoni është gati për anëtarësim.
Kryeministri Rama e cilësoi nismën si strategjike për Shqipërinë, se ajo do të shtyhet përpara edhe pa vendet e tjera të Ballkanit për “të udhëhequr me forcën e shembullit dhe për të mos qenë një karikaturë e vogël e BE, ku për çdo gjë duhet konsensus dhe ku çdokush mund të të bllokojë për një veto”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje