Bota

E shfaqi si Hitleri, Macron e hedh në gjyq, artisti: Të lejojnë të tallesh me Profetin, por jo me presidentin

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paditur një pronar tabelash reklamuese i cili e paraqiste atë si Adolf Hitler, në shenjë proteste kundër masave anti-COVID.

Avokatët e presidentit francez janë vënë në lëvizje pasi imazhet u shfaqën në jug të Francës.

Posterat, njëra prej të cilave u shfaq në hyrje të qytetit mesdhetar të Toulon – kryeqyteti i Varit dhe shtëpia e një baze të rëndësishme detare – treguan Macron si udhëheqës nazist, me mustaqe dhe uniformë me sloganin: “Bindjuni. Vaksinohuni”

Michel-Ange Flori, i cili krijoi edhe imazhin, i tha gazetës lokale se ai ishte thirrur nga policia lokale.

“Ata më thanë se kishte pasur një ankesë nga Elysée. Unë u befasova dhe u trondita.”

Ai më vonë shkroi në Twitter: ” Pra, në Macron-landin mund të tallesh me profetin, kjo është satirë, por të bësh presidentin të duket si diktator është blasfemi,” shtoi ai.

Michel-Ange Flori ka lindur në Korsikë, dhe zotëron rreth 400 tabela reklamuese në rajonin Var. Ai edhe me parë ka shkaktuar polemika me posterat e tij.

 Gjatë 20 viteve të fundit, Flori pretendon se ka prodhuar të paktën 100 postera provokues, duke këmbëngulur se po e ushtron të drejtën e tij për lirinë e shprehjes.

Vepra e “fyerjes së Presidentit të Republikës” u shfuqizua në vitin 2013 pasi një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dënoi Francën, por kreu i shtetit mbrohet nga fyerjet dhe shpifjet publike si çdo qytetar i zakonshëm edhe nëse ndjekjet penale, ndonjëherë perceptohen si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë