Politike

Djegia e plehrave në Fier, përplasje mes Bashës dhe Subashit, Kryebashkiaku: Edhe pak ditë drejt zgjidhjes

“Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet, vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar”, shkruan që më mëngjes, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke e shoqëruar postimin e tij në Twitter me disa foto.

Viktimat, sipas tij, janë njerëzit që helmohen dhe vidhen.

Kryetari i PD, Lulzim Basha

“Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!”, komentoi Basha.

Pas kryetarit të opozitës reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

“Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!!

Po si ka mundësi?!

Ku e gjen të drejtën morale?!

Lulzimi dhe të “tijët” në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70 vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!”, reagoi Subashi në Facebook

Më tej ai nënvizon:  “Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70 vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në radhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë