Futboll

Jurgen Bardhi lë Partizanin, i bashkohet kolonisë shqiptare në Turqi

Ndeshja e së enjtes ndaj Bazelit në Ligën e Konferencës ishte e fundit me fanellën e Partizanit për Jurgen Bardhin, i cili tashmë ka nisur një aventurë të re në Turqi. Mesfushori-sulmues largohet pas 6 sezonesh më të kuqtë. Ai është një prodhim i shkollës së Partizanit dhe shpesh është përfolur për një largim të mundshëm jashtë vendit, që më në fund është realizuar.

Futbollisti 23-vjeçar ka firmosur dhe ka bërë prezantimin me skuadrën e Tuzlaspor, që garon në divizionin e parë (kategoria e dytë). Klubi i Partizanit ende nuk e ka zyrtarizuar largimin e Jurgen Bardhit dhe ende nuk dihen detajet e transferimit të lojtarit nga futbolli ynë në atë turk. Sigurisht që ai do të përfitojë më shumë financiarisht dhe profesionalisht nga kjo lëvizje.

Turqia po thith gjithmonë e më shumë lojtarët më të talentuar të kampionatit shqiptar. Përpara Bardhit kanë firmosur Erald Çinari dhe Esin Hakaj, të dy me Partizanin sezonin e fundit. Po ashtu, në Turqi ka kaluar së fundi edhe Dejvi Bregu, shënuesi më i mirë i kampioantit të fundit, kampion me Teutën.

Eduart Rroca, Kristal Abazaj dhe Valon Et’hemi jaënë të tjerë lojtarë shqiptarë që luajnë në futbollin turk, ku përfaqësuesi më i denjë mbetet sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi. Vetëm një ditë më parë me të është bashkuar te Koniaspori edhe fantazisti Endri Çekiçi. Turqia po shndërrohet kështu vërtet në “tokën e premtuar” për futbollistët shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë