Politike

Mbetjet në Fier, Alibeaj: Inceneratori ka djegur vetëm paratë, sepse plehrat po digjen në qiell të hapur

“Është dita e 5-të që asistohet në një krim mjedisor, që asistohet në konsumimin e një krimi korruptiv në fakt, që është shkaku i vërtetë i kësaj gjendje katastrofale. Mjafton ta shikoni sa e rëndë është situata, sa e rëndë është papërgjegjshmëria në fakt. Pasojat e këtij tymi janë jo vetëm juridike, politikë por edhe shëndetësore”, tha nga Fieri deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Sipas tij, situata e krijuar në Fier është pasojë e pakteve korruptive me qeverinë.

“Katastrofa mjedisore që familjet fierake po pësojnë është produkt i mafies së inceneratorëve, që në bashkëpunim me Edi Ramën ka zhvatur 26.5 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, dhe në këmbim kanë dhënë vetëm këtë tym toksik që po detyron qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Të gjithë e mbani mend se si Rama mashtronte se në dhjetor 2020 inceneratori do të ishte gati. Sot inceneratori ka djegur vetëm paratë e qytetarëve, sepse plehrat digjen në qiell të hapur.

Ky nuk është vetëm mashtrim, ky nuk është as aksident, por është një krim i qëllimshëm kundër banorëve të këtij qytetit nga ata që kanë zgjedhur të punojnë vetëm për interesat e tyre dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Kjo skemë mafioze është modeli me të cilin ka shkatërruar vendin Rama dhe tani po shkatërron shëndetin e qytetarëve”, tha Alibeaj, duke i kërkuar SPAK që të veprojë me urgjencë.

Ndërsa Gazmend Koduzi përkrah Alibeajt tha se, “djegia e mbeturinave plastike në ajër të hapur, dhe ekspozimi për periudhë të shkurtër apo të gjatë, rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës, rëndon sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes si astma apo emfizema, shkakton kancer të mushkërive si dhe dëmton sistemin nervor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë