Guxoi të kritikonte regjimin dhe ia komplikoi shumë gjërat vetes. Atletja bjelloruse e garave të shpejtësisë, 100-metristja Kristina Timanovskaja, është tërhequr nga Olimpiada dhe është çuar me forcë në aeroportin e Tokios për t’u riatdhesuar. Sapo shkoi në aeroport, atletja 24-vjeçare kërkoi ndihmën e policisë, duke denoncuar atë çfarë i ndodhi edhe me një video në rrjetet sociale.
Me anë të kësaj videoje Kristina Timanovskaja kërkoi edhe ndihmën e CIO-s. Ajo duhej të garonte në 200 metra, por u ankua në Instagram se ishte regjistruar në këtë garë në momentin e fundit pa dijeninë e saj. Po ashtu, do të garonte edhe në stafetën 4×400, duke zëvendësuar atletet që nuk shkuan në Japoni për shkak mungesës së tamponëve. Pas ankesave të saj në Instagram, nga Bjellorusia u dha urdhri për riatdhesim.

Sportistja e bëri apel CIO-s, që u kërkoi llogari për situatën drejtuesve që shoqërojnë Bjellorusinë në Tokio. Ata shpjeguan se kërkesa për riatdhesim ishte bërë nisur nga gjendja psikologjike jo e mirë e atletes. “Belarus Sports Solidarity Foundation (Bssf)”, shoqata që mbështet sportistët e opozitës në Bjellorusi, ka bërë me dije se asnjë mjek nuk e vizituar Kristinën. 24-vjeçarja qëndroi në aeroport për disa orë, nën kujdesin e policisë japoneze, ndërsa avioni ku duhej të hipte, u nis pa të. Sportistja ndërkohë ka kërkuar azil politik.
Më pas, zëdhënësi i CIO-s, Mark Adams, ka deklaruar se Timanovskaja e ka kaluar natën në një hotel në aeroportin Haneda të Tokios, në një vend të sigurt, por pa dhënë detaje të tjera. Tani është në dorën e autoriteteve të CIO-s, që i ka kërkuar komitetit olimpik bjellorus një raport me shkrim për çështjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje