Lila, skuadra që mposhti PSG-në në garën e titullit kampion sezonin e fundit, ka shënuar një tjetër rekord, duke fituar Superkupën e Francës, e para në historinë e saj. Dhe e ka bërë këtë gjë, edhe pse në verë ka humbur shumë elementë rëndësishëm, si portieri Maignan që ka kaluar te Milani, dhe trajneri Galtier, i cili ka marrë drejtimin e Nicës.
Një tjetër zhgënjim për PSG-në e pasur, që vazhdon të bëjë blerje të bujshme, por trofetë po i fiton Lila. Megjithatë, duhet theksuar se parisienët nuk kishin disa nga yjet e skuadrës. Në “Bloomfield Stadium” të Tel Avivit, në Izrael, ndeshja u mbyll me golin e portugezit Xeka në fund të pjesës së parë, pas asistit të Burak Jillmaz.

PSG zbriti në fushë me një skuadër pa shumë titullarë dhe pa disa nga blerjet e fundit. Serxhio Ramos është ende jashtë, edhe lojtarët e kombëtares franceze nuk ishin të gatshëm. Po ashtu mungonin edhe Donaruma, Verrati, Nejmar, Markuinjos, Paredes, Mbape dhe Di Maria. Uijnaldum u aktivizua në pjesën e dytë.
I vetmi nga fytyrat e reja që luajti titullar ishte Ashraf Hakimi, i cili u paraqit dobët dhe u vërshëllye sa herë prekte topin. Publiku i pranishëm në Tel Aviv nuk e priti mirë qëndrimin e tij në favor të Palestinës pak kohë më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje