Një rezultat përtej limiteve njerëzore. Norvegjezi Karsten Warholm ka fituar medaljen e artë në 400 metra me pengesa, ku regjistroi kohën 45”94, që është një rekord botëror. Është një kohë e paimagjinueshme, gati jashtë logjikës. I pari në histori që zbret poshtë 46 sekondave.
Atleti norvegjez ka përmirësuar me 76/100 rekordin e tij, që e kishte vendosur më 1 korrik në Oslo. Pas 29 vitesh ai zbriti nga froni Kevin Young, që kryesonte listën botërore të të gjitha kohërave. Në vend të dytë u rendit Rai Benjamin, ndërsa braziliani Alison Dos Santos zuri vendin e tretë.
Benjamin garonte në korsinë e 5-të, Warholm në të 6-ën dhe menjëherë nisi sprintin. Ai kaloi i pari çdo pengesë, ndërsa amerikani Benjamin nuk i ndahej. Një diferencë shumë e vogël mes të dyve, me një ritëm impresionues. Warholm ishte i papërmbajtshëm, deri në pengesën e 9-të nuk gaboi asgjë, aty amerikani përfitoi dhe gati e kaloi, por Karsten, plot energji, pasi kaloi edhe pengesën e 10-të, arriti ta mbyllte i pari.
Ishte një garë historike, flasin vetë shifrat, një rekord që vështirë se do të thyhet dhe norvegjezi vështirë se do të harrohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje