Sport

Gjakova dhe Krasniqi pas kthimit nga Tokio: Medaljet e arta, për popullin e Kosovës

Ekipi i xhudos së Kosovës është kthyer dje në mbrëmje në Prishtinë, pas suksesit të jashtëzakonshëm që arriti në Lojërat Olimpike të Tokios. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medalje të artë në kategoritë e tyre, duke e çuar në 3 numrin e medaljeve të arta olimpike të fituara nga Kosova, pas asaj të Majlinda Kelmendit në Rio 2016.

Për të pritur ekipin e xhudos, me në krye trajnerin Driton Kuka, në aeroport kishte dalë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi në fjalën e tyre u shprehën se ua kanë kushtuar medaljet e tyre popullit të Kosovës.

“Falënderoj trajnerin Driton Kuka që ka sakrifikuar për të arritur unë këtu, gjithashtu falënderoj familjen time që më kanë drejtuar të merrem me këtë sport. Faleminderit edhe gjithë klubit “Ippon”, që kanë derdhur djersë për këto medalje. Kjo medalje është për të gjithë popullin e Kosovës, që e kishim përkrahje të madhe”, – tha Nora Gjakova.

Distria Krasniqi pohoi se medaljet e fituara në Tokio nuk do të jenë të fundit. “Këto medalje dhe këtë sukses ia kushtoj trajnerit dhe të gjithë atyre që na kanë përkrahur. Do të luftojmë edhe për lojërat në Paris dhe këto medalje nuk do të jenë të fundit. Do të luftojmë edhe për shumë të tjera”, – u shpreh Distria Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë