Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se të gjitha vatrat e zjarreve në qarkun e Gjirokastrës janë shuar, edhe pse situata po mbahet nën monitorim.
Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se vijon puna ndërkohë për shuarjen e flakëve të zjarrit në disa zona të vendit në jug dhe në veri, ku deri tani raportohet për shtatë vatra zjarri që kanë mbetur akoma aktive.
Ndërkohë, vijon puna nga forcat operacionale për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit.
Një pjesë e forcave ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri.
Në Shkodër flakët janë izoluar dhe vijon puna për shuarjen e plotë të tyre. Po ashtu, zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, Bashkia Vau Dejës, është izoluar në pjesën më të madhe të tij.
Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, të cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Zjarri në qytetin e Fushë Arrëzit, Bashkia Fushë Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.
Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak të pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në Bashkinë Dibër.
Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll.
Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Situata po ndiqet në vijim.
Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i zi, njësia administrative Labinot Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët. Situata edhe këtu është në monitorim, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.
Më herët, ishte Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ai që njoftoi se flakët në Gjirokastër janë vënë në kontroll në të gjitha vatrat që ishin aktive në këtë qark.
Peleshi sqaroi se gjatë gjithë natës Forcat e Armatosura kanë qenë të angazhuara dhe kanë arritur që të eliminojnë vatrat.
“Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica te Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm”, është ky njoftimi i Peleshit.
Në Gjirokastër një ditë më parë u shënuar dhe viktima e parë nga zjarret, pasi në fshatin Asim Zenel flakët arritën deri tek shtëpitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje