Futboll

Interi lëkundet nga milionat e Abramoviç, tani Lukaku është më afër Çelsit

Romelu Lukaku është një çështje e nxehtë e merkatos së verës. Pasi u refuzua një ofertë prej 105 milionë eurosh nga Çelsi, plus kartonin e Markos Alonsos, u duk se qëndrimi i sulmuesit belg tek Interi ishte i sigurt, por londinezët nuk janë dorëzuar dhe oferta e radhës duket se i ka lëkundur drejtuesit e klubit zikaltër.

Tani Lukaku është më afër Çelsit se Interit. Klubi i Roman Abramoviç pritet të ofrojë shumë shpejt 130 milionë euro “cash” dhe me këto shifra marrëveshja mund të mbyllet shumë shpejt. Sulmuesit belg Çelsi është gati t’i ofrojë një pagë bazë prej 12-13 milionë eurosh, që bashkë me bonuset mund të shkojë në 15 milionë euro. Dhe këtu ka një diferencë të madhe me 8.5 milionët që Lukaku merr në Milano.

Romelu Lukaku. Gazeta Si, 5 gusht 2021

Tek Interi në fakt planet ishin për të shitur Lautaro Martinezin, por për argjentinasin nuk ka pasur oferta konkrete, përveç asaj të Arsenalit për shkëmbimin me Lakazet. Edhe nëse do të ketë oferta për të, me siguri nuk do të jenë në shifrat që kërkojnë Marota dhe Auzilio, 80-90 milionë euro. Në anën tjetër, nuk është zhbllokuar situata për Sançez, Vidal dhe Perisiç, të cilët kanë paga të larta.

Në këto kushte, Çelsi mund ta privojë Interin nga sulmuesi i tij kryesor. Londinezëve, pasi nuk arritën të merrnin Haland, u duhet patjetër një lojtar me peshë përpara. Shanset e shitjes së Lukakut shtohen, po të kemi parasysh edhe faktin se tek Interi po mendojmë për zëvendësuesin e tij dhe dy psitat më të mundshme janë Muriel dhe Vlahoviç.

Parulla e tifozeve te Interit. Gazeta Si, 5 gusht 2021

Por e gjitha kjo situatë ka edhe një pengesë tjetër, atë të tifozëve, të cilët kanë reaguar ditët e fundit, duke shpalosur afër selisë së Interit disa parulla, me anë të të cilave u kërkojnë drejtuesve që të mbajnë premtimet. Megjithatë, tifozët nuk kanë forcën për ta bllokuar Lukakun të kthehet në Premier Ligë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë