Meksika ka paditur 10 prodhues amerikanë të armëve të zjarrit. Iniciativa u mor nga ministri i Jashtëm, Marcelo Ebrard i cili shpjegoi: “Armët e shitura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të lidhura ngushtë me dhunën që ne jemi dëshmitarë teksa e shohim në vendin tonë”.
Ankesa u paraqit në Gjykatën e Massachussetts-it, SHBA, e konsideruar si një nga më të rreptat përsa i përket kontrolleve mbi pistoletat dhe pushkët e zjarrit.
Lëvizja meksikane, e befasoi administratën e Uashingtonit. Sigurisht, edhe kryebashkiakja e Çikagos, demokratja Lori Lighfoot, paditi një kompani të madhe të Indianës, duke argumentuar se ajo shiste armë shumë lehtë.
Sidoqoftë, këtu është përfshirë një nga aleatët më të afërt të SHBA-ve.
Çështja është gjithashtu politike. Dihet që çështja e kontrolleve të shitjes së armëve është vendimtare dhe një kufizim do të shkaktonte pasoja.
Në draftin e projektligjit të përllogaritur në Kongres, parashikohen dënime të rënda për tregtarët të cilët, për shembull, nuk e përcaktojnë nëse blerësi ka një precedent penal ose çrregullime mendore.
Megjithatë, deri më tani, republikanët, të mbështetur nga lobi me ndikim i armëve, kanë bllokuar gjithçka. Do të shihet nëse kauza e Meksikës do të ecë përpara. Por diçka e madhe mungon këtu, pjesa më tërheqëse e historisë.
Departamenti i Drejtësisë në Meksiko Siti, zbuloi se 70% e armëve dhe municioneve të përdorura në përleshjet e zjarrit midis vitit 2014 dhe 2018, ishin prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po, por çështja është: ku përfundojnë ato? Kush i përdor? Përgjigjet, për fat të keq, janë të dukshme: kartelet e narkotikëve, të trafikantëve të qenieve njerëzore, të bandave që kontrollojnë qytetet centimetër pas centimetri, veçanërisht ato në kufirin me SHBA-të, si Tijuana, Ciudad Juarez, Nuova Laredo, Matamoros.
Jo vetëm. Hetimet e pakta gjyqësore, kanë zbuluar bashkëpunimin historik dhe të thellë të politikës meksikane dhe përmes tyre, të institucioneve vendore, të departamenteve të ndryshme të policisë, duke filluar me ato në shërbim në kufi. Sigurisht, padia eventuale në Massachusetts, nuk do të frenojë krimin e organizuar në Meksikë.
Gazeta amerikane “New York Times”, vëren se qëllimi i vërtetë i qeverisë së udhëhequr nga Andrés Manuel López Obrador, është të marrë një kompensim që përllogaritet deri në 10 miliardë dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje