Ka ndodhur

Zjarret, Karaburuni mbetet problematik, edhe Kukësi në flakë. Shkëndija elektrike dogji pyjet e Vithkuqit

Në ditën e 12 të emergjencës me zjarret në vend, Karaburuni mbetet vatra më problematike në qarkun e Vlorës.

Po nga jugu i vendit, zjarret janë zhvendosur edhe në veri dhe verilindje, ku zjarrfikësit janë në betejë me flakët edhe në Kukës, Has dhe Tropojë.

Karaburuni nën monitorim, normalizohet Gjormi

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, janë nisur forca zjarrfikëse dhe ushtarë për monitoruar situatën në këtë zonë, pasi vatra e zjarrit edhe pse nuk është shumë aktive, rreziku mbetet evident.

Autoritetet kërkojnë të shmangim me çdo kusht edhe vatrën më të vogël për të mos rrezikuar prekjen e pishave në afërsi të Parkut të Llogarasë.

Ndryshe nga një ditë më parë, moti të premten është më i normalizuar, por mjegulla e dendur në majë të malit vështirëson punën e zjarrfikësve.

Ndërkohë në fshatin Dukat i Ri, është aktive dhe një vatër e vogël zjarri, e cila nuk përbën rrezik.

Bashkia e Selenicës ka bërë bilancin e dëmeve të zjarrit në fshatin Gjorm, ku janë djegur 1200 rrënjë ullinj, tre banesa në Gjorm dhe një në fshatin Gumenicë të pabanuara.

Ndërkohë që nuk po gjenden 60 kokë bagëti, të cilat dyshohet se janë larguar nga flakët e zjarrit.

Ndërkohë mësohet se zjarrfikësit, që prej dy muajsh luftojnë me flakët, nuk kanë marrë pagat e gatishmërisë nga Bashkia e Vlorës, duke shkaktuar pakënaqësi.

Situatë problematike në Kukës, Has dhe Tropojë

Paraqitet e vështirë situata me flakët më Majën e Rrunës në Kukës, ku zjarret vijojnë të përhapen, ndërsa terreni malor vështirëson lokalizimin dhe punën për shuarjen e tyre.

Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, ndërsa në terren janë nisur forcat e ushtrisë dhe ekipet e Bashkisë Kukës, për të mbajtur zjarrin nën kontroll në mënyrë që të mos rrezikojë zonat e banuara. Ndërkohë pritet edhe ndërhyrje me helikopter nga ajri.

Ndërkohë, Komisioni i Mbrojtjes Civile në prefekturën e Kukësit ka dhënë informacion në lidhje me situatën e zjarreve në këtë qark.

Vatra zjarri janë konstatuar në disa zona, përkatësisht në Has, Kukës, Tropojë. Aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit në Kodër Gështenjë, Betosh, Shëngjergj, dhe Pogaj në njësinë administrative Gjinaj.

Në këto zona, janë djegur zipërfaqe pyll lisi, sipërfaqe livadhi, therrisht dhe shkurre.

Shkëndija elektrike dogji pyjet e Vithkuqit

Zjarri i rënë një ditë më parë në pyjet e Vithkuqit në Korçë është shuar plotësisht.

Policia e Korçës bëri të ditur se zjarri që përfshiu dhe dogji mbi 4 hektarë pyll me pisha të enjten në Vithkuq është referuar në Prokurori si ngjarje aksidentale.

Dyshohet që shkak i zjarrit të ketë qenë një shkëndije elektrike në rritjen e tensionit të lartë që kalonte në zonat ku u shfaqën vatrat.

Po ashtu aksidental e konsideron policia edhe zjarrin që ra dje në fshatin Biranj, ku u dogjën sipërfaqe të konsiderueshme me kullota.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë