Me mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre në Greqi, ndërsa vendi ballkanik vijon të jetë i përfshirë nga zjarret masive në zona të ndryshme, kryesisht turistike.
Këtë të premte, qielli i Athinës është mbuluar nga tymi i dendur, si pasojë e zjarreve në periferi të saj, të cilat shpërthyen përsëri të enjten në Varybopi dhe Evia.
Pamjet filmike tregojnë banorët në Vothonas dhe Marathon, që janë urdhëruar nga autoritetet të largohen drejt bregdetit për shkak të vatrave të shumta të zjarrit.
Shërbimi zjarrfikës ka paralajmëruar se erërat e fuqishme që janë parashikuar në zonën e Atikës dhe pjesën tjetër të Greqisë, po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Objektet përgjatë autostradës në Afidnes po digjen, ndërsa natën u përfshinë nga flakët disa shtëpi. Nënkryetari i Afidnes, Giorgos Dostis, tha se zjarri mund të ketë shkatërruar një sipërfaqe prej të paktën 4.500 deri në 5.000 hektarë.
Megjithatë, nuk ka pasur humbje jete dhe vetëm dhjetëra të shtruar në spital, kryesisht zjarrfikës që kanë pësuar djegie të vogla, por edhe banorë që vuajnë nga thithja e tymit.
Deri më tani, janë numëruar me dhjetëra biznese dhe banesa të djegura nga flakët, ndërsa ajri i Athinës është ndotur aq shumë sa mund të ketë fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen në spitale.
Më shumë se 600 njerëz u evakuuan edhe nga veriu i ishulli Evia, pasi një zjarr i tërbuar bllokoi rrugën jashtë fshatit Agia Anna, duke bllokuar banorët dhe pushuesit. Situata është kritike, siç pranoi edhe kryeministri grek Qiriakos Mitsotakis.
Mitsotakis vuri në dukje se, së bashku me Mbrojtjen Civile, qeveria ka hartuar një plan emergjence, duke vendosur gjashtë rajone, përfshirë Atikën, në gjendje “alarmi të kuq”.
Ashtu si pjesa më e madhe e Europës, edhe Greqia është përballur me motin ekstrem këtë verë, e cila konsiderohet më e nxehta në 30 vitet e fundit, duke bërë që flakët të përhapen njëkohësisht në disa pjesë të ndryshme të vendit.
Σοκαριστικες εικόνες απο την ΤΕΡΑΣΤΙΑ καταστροφή στην #Ευβοια 3 ενεργά μέτωπα το 1 με κατεύθυνση στον Όσσιο Δαυίδ & τους καταρράκτες του Δρυμμώνα 😥😥😥 #Πυρκαγια #βαρυμπομπη #ΛιμνηΕυβοιας pic.twitter.com/PChTHjqjlj
— pagiannitis (@AgiannitisPanos) August 3, 2021
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)
















Lini një Përgjigje