Çfarë kryqëzimi në merkato mes klubeve më të mëdha europiane! Me Mesin drejt PSG-së, Barcelona rrezikon që të përballet edhe me Mbapenë te Reali. Por në Spanjë shpresojnë ende për një rishikim të rregullave financiare, çka do të kthente çdo gjë si më parë.
Ditë të vështira për Barcelonën. Klubi katalanas ka lënë të lirë Lionel Mesin, ndërkohë që rivalët historikë të Real Madridit mund të fuqizohen me Kilian Mbape. Në këtë histori, edhe Kristiano Ronaldo preket, pasi mbetet duarbosh, duke qenë se e kishte një mendim për të shkuar në Paris, pa e ditur se vendin do t’ia merrte rivali i tij i përjetshëm. Kryqëzimi në merkato është i pabesueshëm dhe në pak javë mund të verifikohet ajo që flitet prej një viti.
Në kulmin e Covid-it, Leo Mesi pati një krisje me ish-presidentin e Barcelonës, Bartomeu. Më pas, me marrjen e presidencës nga Laporta, u duk sikur u qetësua situata, me atë akord prej 20 milionë eurosh në sezon për 5 vjet. Tani edhe norma e vendosur nga Liga që i imponon drejtuesit katalanas të respektojnë tavanin e pagave, një pengesë shumë e fortë në këtë kohë krize. Në një kohë të shkurtër të gjitha zërat marrin forma dhe lamtumira e madhe bëhet realitet.
Në Spanjë kanë ende shpresa për zgjidhjen e situatës me anë të rishikimit të vetos financiare, ndërsa PSG në Francë është gati të firmosë me Mesin. Ëndrra e Nejmarit për të luajtur sërish bashkë me argjentinasin, si në kohët e bukura te Barcelona, mund të bëhet realitet. Nga ana financiare, operacioni për Mesin është më pak i kushtueshëm se për Kristiano Ronaldon, duke ditur që “Pleshti” pranon një pagë të reduktuar për një kontratë afatgjatë.
Emiri Al-Thani mund t’i garantojë një rrogë në një niveli të lartë, por për një kohë më të shkurtër. Ndërkohë, për trajnerin Poketino do të bëhej një çështje më vete mbipopullimi në sulm. Dhe kjo do të lejonte hapjen e dialogut me Florentino Perezin e Realit për transferimin në Madrid të Mbape. Deri tani PSG nuk e menduar seriozisht idenë për të lejuar largimin e yllit të saj, edhe pse Mbape nuk ka dëshirë të rinovojë kontratën që i skadon pas pak më shumë se 10 muajsh. Por marrëveshja e mundshme me Mesin do të sillte edhe transferimin tjetër të bujshëm.
Në këtë ndeshje të rrezikshme shahu duhet pasur parasysh se luajnë të gjithë, duke vënë edhe stërkëmbësha. Për shembull, është e pabesueshme që të mbetet jashtë Pep Guardiola, mentori i Leo Mesit. Mançester Siti në fakt ka zgjedhur rrugë të tjera: ka blerë Grealish dhe po tenton të marrë edhe Herri Kejn. Edhe Roman Abramoviç, një dashamirës i hershëm i Mesit, po bën gjithçka për të rikthyer Romelu Lukakun, duke rritur ofertën në 120 milionë euro. Të gjitha transferime shumë të kushtueshme, me qindra miliona euro. Papritur merkatoja ka shpërthyer dhe Mesi është gjithmonë në qendër të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje