Ka ndodhur

Vatër e rrezikshme në Mashkullorë, evakuohen banorët. Peleshi: Situatë serioze dhe në Kukës

Janë 163 vatra zjarri që janë shuar nga forcat zjarrfikëse dhe ushtria. Në një komunikim online nga baza e Pashalimanit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka bërë një bilanc paraprak, ku theksoi se janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile.

Peleshi ka bërë një skaner të situatës së zjarrve në vend, ku tha se një vatër e rrezikshme është ajo që ka rënë së fundi në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës, ku flakët po përparojnë drejt banesave.

“Në Mashkullorë kemi një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme, dërguam 50 trupa dhe helikopterë, bëj thirrje që banorët të evakuohen, pasi zjarri po i afrohet fshatit”, – tha ai.

Një vatër tjetër, që ai e cilësoi si serioze, është në Kukës.

“Vatra më serioze është ajo e Kukësit, ku kemi punuar dhe po punojmë kombinuar nga toka dhe nga ajri. Nuk rrezikon banesa. Është në kontroll, por nga ç’ka në zonën e veriut është më seriozja. Në luginën e Valbonës kemi një vatër zjarri që është nën kontroll. Edhe në vatrat e tjera i kemi nën kontroll dhe nuk rrezikojnë banesa”, tha Peleshi.

Peleshi kërkoi nga banorët që të pranojnë të evakuohen, ndërsa tha se drejt zonës është nisur një helikopter i forcave të ushtrisë, si dhe 50 FA.

Ministri i Mbrojtjes u shpreh se në Gadishullin e Karaburunit situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarsë dhe se situata po mbahet në kontroll.

Peleshi tha se strategjia është që deri të shtunën të mbahen vatrat siç janë mbajtur këto ditë deri në futjen në përdorim të helikopterëve që do të vijnë në ndihmë nga Holanda.

Me ardhjen e tyre, ai u shpreh se do të ketë lajme të mira shumë shpejt për vënien nën kontrollin e plotë të flakëve.

Peleshi ka vlerësuar punën e Prefektit të Vlorës, Mamaj, të cilin e ka cilësuar si një hero.

“Është një njeri i rrallë, është hero që nuk i takojmë çdo ditë. Dje e ka kaluar natën në majën e Karaburunit së bashku me forcat e ushtrisë. Ka sakrifikuar, ka kaluar natën në 1300 metra lartësi duke luftuar me flakët së bashku me efektivët. E falënderoj publikisht”.

Situata e zjarreve gjate ditës së sotme:

Vlorë, Gadishulli i Karaburunit – Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë. Vatra po mbahet nën kontroll.

Kukës – Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik. Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Lugina e Valbonës – Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë