Pasi u neutralizuan gjatë pasdites vatrat e zjarrit në Dukat të Ri dhe në Gjirin e Gramës në qarkun e Vlorës, por edhe në Kukës, problematika u rikthye në mbrëmje. Ministria e Mbrojtjes njofton se pas punës të forcave operacionale dhe helikopterit të ardhur nga Holanda, po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në të gjithë sipërfaqen e prekur në Gadishullin e Karaburunit, në qarkun e Vlorës dhe në Kukës. Por vatrat u rindezën në mbremje.
Banorët e Dukatit po kërkojnë ndihmë, pasi zjarri mund të bashkohet me atë të zonës së Llogorasë dhe prej mandej mund të avancojë në pyllin e Llogorasë.
Raportohet se në terren janë 100 ushtarë, forca zjarrfikëse si dhe banorë të zonës, të cilët po mundohen për shuarjen e flakëve
Gjithashtu gjatë së shtunës është shuar zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, në bashkinë Finiq, duke shmangur rrezikun për banesat. Zjarri në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier po mbahet nën kontroll, ndërsa ka vijuar puna me helikopterin çek për shuarjen përfundimtare të tij.
Në Kepin e Rodonit, në Durrës është raportuar një vatër zjarri, për të cilën po vijon puna për vënien nën kontroll nga forcat në terren. Nuk paraqitet rrezikshmëri.
Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në malin e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit. Ai po shuhet nga forcat zjarrfikëse të bashkisë.
Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, Bashkia Mirditë ka vijuar të zgjerojë perimetrin, duke shkaktuar tym në të gjithë kodrën. Forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugëve të fshatit. Ndërkaq është izoluar plotësisht zjarri në fshatin Munellë-Domgjon, bashkia Mirditë.
Vijon të paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit në Majën e Rrunës, në Kukës, ku forcat po punojnë të për mos lejuar përhapjen e flakëve në zonat e banuara. Nën kontroll mbeten flakët në fshatin Klysyrë të Bashkisë Tropojë si dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.
Në një postim në Fb, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se zjarret janë vënë nga dorakriminale e njeriut: “Përballë nesh është dora kriminale e zjarrvënësve, jo natyra. Të bëhemi bashkë për të mbrojtur natyrën dhe vendin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje