Mbretërit e basketbollit mbeten ata, yjet e NBA-së i kanë dhuruar Amerikës medaljen e arit në Lojërat Olimpike për herë të 4-t radhazi. Këtë herë kanë triumfuar në një finale të ekuilibruar dhe të bukur ndaj Francës, të mbyllur me rezultatin 87-82. Franca ka fituar medaljen e argjendit për herë të tretë në histori.
Për Amerikën është medalja e Kevin Durant, lideri i skuadrës dhe shënues i 29 pikëve në finale. Është medalja e Greg Popoviç, i cili diti të përmirësojë gjatë turneut një grup që pati vështirësi në fazën përgatitore për shkak edhe të lojtarëve të ardhur në minutën e fundit. Është medalja e Jrue Holidei, më i miri pas Durant. Ai iu bashkua skuadrës mëngjesin para ndeshjes së parë, pas titullit të fituar me Milluokin, dhe bëri një paraqitje shumë të mirë në Olimpiadë.

Franca e kishte mundur Amerikën në ndeshjen e parë, por e dinte shumë mirë se në finale nuk do gjente të njëjtën skuadër. Me Rudi Gobert protagonist, skuadra e Kolet luftoi dhe u fut në ndeshje të paktën 4 herë, por në fund u dorëzua, duke iu gëzuar medaljes së argjendit. Kjo është medalja e parë olimpike franceze në 21 vitet e fundit, që konfirmon se kjo skuadër ka talent për të arritur suksese, duke nisur nga Euro 2022.
Medalja e artë i jep skuadrës amerikane vendin e merituar në majë të piramidës së basketbollit botëror, që rrezikonte ta humbiste pas fiaskos në Botëror. Amerika fiton kështu medaljen e 16-të të artë në 19 pjesëmarrje, të 7-ën në 8 pjesëmarrjet, ku në skuadër janë futur edhe lojtarët e NBA-së. Në Tokio nuk pati dominimin e zakonshëm, por pas nisjes së dobët skuadra e Popoviç u rrit dhe rigjeti besimin.

Simboli i skuadrës është pa dyshim Kevin Durant, që fiton medaljen e tretë të artë radhazi. Ai ishte fenomenal: nuk e kaloi kuotën e 30 pikëve në finale, ashtu si në Londër 2012 dhe Rio 2016, nuk ishte shënuesi më i mirë i turneut, porn ë Tokio konfirmoi se është kthyer sin ë kohët e arta, pavarësisht dëmtimit në tendinën e Akilit. Tregoi se e meriton rinovimin prej 198 milionë dollarësh me Bruklin.
Sa i takon finales, përveç Durant, lanë shenjën e tyre edhe Tatum dhe Holidei. Për Francën më i miri ishte Rudi Gobert, por duhet thënë se e gjithë skuadra e Kolet tregoi karakterin e nevojshëm për të tentuar gjithçka deri në fund.
Shënuesit më të mirë të finales
USA: Durant 29, Tatum 19, Lilard 11, Holidai 11
Franca: Furnier 16, Gobert 16, Jabusele 13
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje