Nga e para, e fundit. Nga vendi i parë tek i 31-i. Sportistja gjermane, Annika Schleu, ka përjetuar një dramë të vërtetë sportive. Ëndrra e saj për medaljen e artë në pentathlonin modern, të cilën e përkëdheli për një moment, u shua nga sjellja e trajnerit të saj Kim Raisner, të cilit iu dha karton i zi dhe u skualifikua nga Lojërat Olimpike. Pse?
Episodi ka ndodhur në garën për femra të pentathlonit modern, ku veç vrapit, qitjes, notit dhe shpatës, është parashikuar edhe hipizmi, por me një kalë të panjohur që u jepet sportistëve vetëm 20 minuta para garës. Pak kohë për t’u familjarizuar me kalin, që skuadra gjermane e ka shfrytëzuar shumë keq. Saint Boy (emri i kalit) u duk i tronditur dhe nuk iu bind sportistes Schleu, duke i mohuar shansin më të mirë për medaljen e artë.

Një tjetër zhgënjim për të, pasi në Olimpiadën e Rios 2016 zuri vendin e 4-t. Sportistja gjermane nuk i përmbajti dot lotët në ato momente. Më pas u kuptuan edhe arsyet e rebelimit të kalit: Kim Raisner, trajneri i Schleu, e kishte goditur me grusht. Në regjistrimet e telekamerave dëgjohet Raisner që i drejtohet sportistes: “Godite, godite mirë!” Dhe kali ka refuzuar të kapërcejë pengesat.
“Komiteti Ekzekutiv i ka dhënë karton të zi trajnerit të skuadrës gjermane, Kim Raisner, – shkruhet në një komunikatë zyrtare të Unionit Ndërkombëtar të Pentathlonit Modern, – duke e skualifikuar nga Lojërat Olimpike të Tokio 2020. Sjellja e tij ishte një dhunim i rregullave të garës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje