Ka ndodhur

Zjarret/ Vijon beteja me flakët në Dukat dhe Kukës. Situatë serioze pranë Parkut të Llogarasë

Pas dy javësh luftë me zjarret në zonën e Karaburunit, në Dukat të Vlorës vijon beteja me flakët, por në territorin e vendit, ka disa vatra aktive, ku më e nxehta është ajo në Majën e Rrunës në Kukës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht aktive është vatra e zjarrit në Dukat të Ri. Pika kritike njoftohet se u izolua gjatë natës nga forcat operacionale, duke eliminuar rrezikun e kalimit të zjarrit në fshat, por përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë nga toka dhe nga ajri.

Serioze gjendja raportohet të jetë  pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku janë përqendruar të gjitha forcat, për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve. Strukturat janë në ndjekje të dinamikës, e cila ndryshon për shkak të kushteve atmosferike.

Një tjetër vatër serioze është ajo në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, ku puna vijon për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri.

Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Mësohet se në këtë majë kanë nisur operacionet nga ajri për shuarjen e flakëve. Helikopteri ka bërë dy fluturimet e para duke hedhur ujë mbi vatër.

Është vënë nën kontroll vatra në zonën e quajtur Laku i Thive. Puna vijon edhe në pjesën që ndodhet në fshatin Munellë-Domgjon, në Mirditë, ku ka situatë aktive.

Janë raportuar edhe disa vatra të reja, njëra në fshatin Patalej në Lezhë, një tjetër vatër në Gjallicë në Kukës me përmasa të vogla si dhe një vatër në fshatin Cakran të Fierit, e cila ishte shuar 10 ditë më parë nga FA dhe është riaktivizuar. Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes dhe përmasave që po marrin flakët kanë shkuar në ndihmë edhe 40 efektivë të FA.

Një vatër e re është njoftuar në pyllin e fshatit Gjorgos në Fier, ku për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Rroskovecit.

Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës. Këto vatra, sipas MM,  nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Peleshi: Dy vatra problematike në Kukës, Parku i Llogarasë në rrezik

Duke folur për situatën e zjarreve në vend, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është shprehur se është ulur numri i vatrave aktive, ndërsa është shprehur se gjendje serioze mbetet në Kukës, Mirditë dhe Vlorë.

Në një komunikim online, Peleshi shprehet se situata mbetet dinamike. Ndërsa ka bërë një bilanc të situatës, ministri i Mbrojtjes tha se në Karaburun ka ende dy vatra zjarresh dhe se kjo zonë mbetet pika më nxehtë, duke shtuar se situata është menaxhuar shumë mirë deri tani pavarësisht vështirësive po bëhet gjithçka si nga ajri si nga toka.

“Në Durrës kemi një vatër të menaxhueshme. Edhe në Fier vatrat janë drejt eliminimit. Në Karaburun, nga tre vatra kemi dy. Mbi Dukat dhe pranë Parkut të Llogarasë vazhdon të ketë vatra. Nata ka qenë shumë e angazhuar. Banesat kanë qenë të rrezikuara, po fatmirësisht ndërhyrja ka qenë intensive”.

Sipas Peleshit, “janë dy helikopterë që kanë ardhur nga Holanda. Helikopteri i tretë është ai çek dhe është në punë në veri, pasi ka vatër problematike në Kukës. Duam të shmangim kapërcimin e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë, ndaj jemi edhe këtu sepse e konsiderojmë pikën më të nxehtë. Sigurisht që zona e parkut është në rrezik, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi aty dhe të papërgatitur”.

Peleshi shtoi se “për momentin, një helikopter po punon drejt Thirrës, ndërkohë kemi vatra të tjera në veri në zonën e Vermoshit, por janë nën kontroll”.

Peleshi gjithasht ka shprehur mirënjohje për SHBA, BE-në Hollandën dhe Çekinë pasi kanë mbështetur shërbimet zjarrfikëse shqiptare.

“Eshtë ulur numri i vatrave aktive por kemi ende vatra serioze në Kukës, Mirditë dhe Vlorë. Heroizëm dhe bashkimi i forcave ka shmangur rrezikun e prekjes se fshatit nga zjarri në Dukat. Sot, prej orëve të para të mëngjesit kemi rifilluar operacionet nga ajri dhe toka në Kukës (Thirrë) dhe Karaburun”.

Zjarri mbi Tunelin e Kalimashit, flet kryebashkiaku Safet Gjici

Edhe në majën e Runës në Kukës, sipër Tunelit të Kalimashit në Kukës, situata është problematike dhe pyjet vijojnë të digjen prej ditësh.

Edhe në këtë zonë pritet të nisë punën helikopteri për shuarjen e flakëve nga ajri si dhe mbi 80 forca të ushtrisë, shërbimit zjarrfikës dhe të bashkisë janë angazhuar nga toka për të mos lejuar përhapjen e zjarrit.

Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici thotë se prej 3-4 ditësh janë aktivizuar 20 vatra, por që 18 prej tyre janë shuar ose janë nën kontroll.

Ai shprehet se problematike mbeten vetëm zjarret në Majën e Rrunës, ku po digjet sipërfaqe me pyje, ndërsa po punohet nga forcat zjarrfikëse që të mos lejohet që flakët të rrezikojnë Tunelin e Kalimashit.

“Disa prej zjarreve janë të qëllimshme dhe nga pakujdesia e banoreve. Forcat zjarrfikëse kanë punuar pa u ndalur për vënin në kontroll të zjarreve por edhe vetë banorët kanë ndihmuar”, tha Gjici.

Gjici tha se në dispozicion të bashkisë janë vetëm 2 zjarrfikëse, që është një numër i vogël krahasuar me sipërfaqen e madhe të pyjeve që ka nën administrim. Ai shtoi se qeveria duhet të hartojë plane konkrete për rritjen e këtyre kapaciteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë