Pas Kosovës, rritja e të infektuarve me COVID-19 dhe frika nga varianti ‘Delta’ po detyron edhe autoritetet në Maqedoninë e Veriut që të ndalojnë po ashtu hyrjen e të pavaksinuarve në bare dhe restorante.
Qeveria e vendit fqinj mori vendimin që nga e hëna e 16 gushtit të hyjnë në fuqi masa të reja, duke përcaktuar se hyrja në hotele, restorante dhe kafene, do të lejohet vetëm me certifikatë vaksinimi.,
Masat parashikojnë po ashtu ndalimin e manifestimeve në ambiente të mbyllura, siç janë dasmat dhe eventet e tjera familjare, objektet e hotelierisë nuk duhet të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve ndërsa tavolinat nuk duhet të kenë më shumë se katër persona.
Në përputhje me masat, në teatro, koncerte dhe ngjarje kulturore, do të mund të marin pjesë po ashtu vetëm qytetarët të cilët kanë vërtetim se kanë marrë për së paku një dozë vaksinë.
Sipas qeverisë, kontrolli i klientëve do të bëhet nga vetë restorantet dhe baret, të cilat do të jenë të detyruara të pyesin çdo qytetar nëse është i pajisur me pasaportë vaksnimi.
“Gjatë hyrjes në restorante dhe bare, shërbimet për vendosjen e rendit të caktuar nga ana e pronarëve, duhet të tregojnë vërtetim ose certifikatë për vaksinim. Sigurisht që Inspektorati i tregut, në përputhje me kompetencat do të kontrollojë të gjitha objektet gastronomike nëse respektojnë masat- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër I Ekonomisë.
Ndërkohë, Inspektorati shtetëror i tregut thotë se gjatë sezonit të dasmave kanë intensifikuar kontrollet në terren, por nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë. Ushtruesja e detyrës së kreut të këtij institucioni thonë se lokalet tani duhet që të mbajnë rendin në mënyrë që inspektorët të identifikojnë më lehtë shkelësit e masave.
“Ajo që duhet ta vendosin gjatë këtyre ditëve është se në cilën mënyrë ne do të kontrollojmë mos respektimin e masave nga pritësit e objekteve. Angazhimi i shërbimit të privatit për të mbajtur rendin është në protokollet e reja, por gastronomet kanë pasur edhe më parë menaxherë të tillë. Për momentin nuk mund t’ju them por gjithçka që është sipas ligjit do të zbatohet nga inspektorët, nëse do të ketë shkelje do të merren masat përkatëse”, pohoi Aneta Simeska Dimovska, Drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Zoran Zaev bëri me dije se hyrja në hotele apo kafene është i ndaluar për personat mbi 18 vjeç që nuk kanë marrë të paktën një dozë vaksine. Certifikatat e imunizimit do të kontrollohen nga shërbimi i sigurisë.
Restoranteve u është dhënë 1 javë hapësirë që të mund të organizohen duke patur parasysh se ka shumë rezervime dasmash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje