Futboll

PSG zyrtarizon Mesin, tifozët në delir. Nesër prezantimi i yllit argjentinas

Lionel Mesi është zyrtarisht një lojtar i PSG-së. Pasi u mbyllën edhe detajet e fundit në lidhje me të drejtat e imazhit dhe pagën, fenomeni argjentinas mbërriti në Paris për firmosjen e kontratës dhe vizitat mjekësore. Kontrata e tij është dyvjeçare, me opsionin edhe për një vit të tretë. Klubi francez, me anë të Tuiterit, ka zyrtarizuar blerjen e agjentinasit.

Fansat e PSG-së, në delir, kanë pushtuar aeroportin dhe më pas stadiumin. Për nesër, në orën 11:00, është parashikuar prezantimi i 6 herë fituesit të “Topit të Artë”.

Babai-agjent i sulmuesit, Jorge Mesi, mbërriti rreth mesditës në Paris dhe konfirmoi marrëveshjen. “Kush është fajtor për largimin e tij nga Barcelona? Këtë kërkojani klubit, – ka thënë babai i argjentinasit”, – duke lënë të kuptohet se Leo nuk ka asnjë faj.

Mesi është shfaqur para tifozëve të tij të rinj me një t-shirt të bardhë, në të cilën shkruhej: “Ici c’est Paris”. Ai është fotografuar në një dritare të aeroportit, ndërsa jashtë me mijëra tifozë prisnin ta përshëndesnin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë