Politike

Në Afganistan nuk ka asnjë shqiptar për tu evakuuar, forcat paqeruajtëse u larguan në korrik

Ndërkohë që Kabuli ndodhet në krizë të plotë humanitare, burime zyrtare nga Ministria e Jashtme i thonë Gazetasi.al, se për momentin nuk ka asnjë qytetar shqiptar në Afganistan.

Sipas burimeve, qytetarët e funditt shqiptarë u larguan nga vendi para përshkallëzimit të situatës, disa javë më parë, bashkë me forcat paqeruajtëse të vendit tonë, të stacionuara në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s.

Mijëra afganë, por edhe qytetarë të kombeve të huaja janë mbledhur në aeroportin e Kabulit për të lënë vendin, nga frika e regjimit të Talibanëve.

Së bashku me afganë që kanë punuar me vendet perëndimore dhe i druhen hakamrrjes së Talibanëve, në aeroport ka edhe mijëra qytetarë të huaj, të cilët punojnë në kompani dhe organizata ndërkombëtare.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka deklaron nga ana tjetër se vendi ynë është gati të presë qindra afganë të kërcënuar. Në një postim në “Twitter”, Xhaçka shkruan se ne qëndrojmë krah për krah me aleatët.

“Shqipëria është gati të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkruan Xhaçka.

Edhe pse nuk ka shtetas nga Shqipëria, në Afganistan mësohet ndodhen rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë janë në pritje të evakuimit, pasi talibanët hynë në Kabul. Shkupi i ka kërkuar ndihmë Turqisë për evakuiimin e tyre nga Afganistani.

Ministria e Punëve të Jashtme maqedonase thotë në një njoftim me shkrim të kësaj ministrie, tani për tani të gjithë ata janë në vende të sigurta dhe bëhet fjalë kryesisht për shtetas të angazhuar nëpër kompani të huaja.

“Nga informacionet e fundit që kemi marrë, kompanitë që punësojnë punëtorë nuk përballen me ndonjë vështirësi dhe kanë rezervuar fluturimet e tyre për të evakuuar punëtorët e tyre dhe disa prej tyre tashmë janë transferuar në disa nga vendet fqinje dhe transferimi i tyre në vend nuk diskutohet”, thuhet në njoftimin e qeverisë maqedonase.

Në 24 orët e fundit, disa qytetarë që kanë të afërm ose miq në Afganistan telefonuan Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe pyetën për situatën atje, por nuk kërkuan ndihmë për shpëtimin e tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson se situata po monitorohet nga afër dhe se disa vende tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar sa i përket evakuimit për qytetarët maqedonas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë