Njëzet vjet luftë, shpenzime marramendëse prej gati 2.3 trilionë dollarë dhe rreth 241 mijë vdekje. Këto janë disa nga numrat në bilancin 20-vjeçar të luftës në Afganistan. Shifra të përllogaritura nga “Watson Institute for International and Public Affairs” në “Brown University”, në Masaçusets (SHBA).
Ky i fundit, në raportin e “Costs of War” (Kostot e Luftës), ka përpiluar listën e kostove, ekonomike dhe njerëzore, të paguara nga Amerika, që nga 2001 (viti në të cilin SHBA hyri në Afganistan), deri në vitin 2021.
Shifrat për konfliktin – Operacionet luftarake i kanë kushtuar Amerikës gati një trilion dollarë, të cilave u shtohen 530 miliardë për interesin e borxheve të kontraktuara për financimin e operacioneve ushtarake, 296 miliardë $ për kujdesin e veteranëve të kthyer nga Afganistani, 443 miliardë dollarë rritje në Buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes për operacionet e lidhura me konfliktin.
Shifra e përgjithshme, 2.261 trilionë dollarë (2.300 mld $), nuk përfshin fondet që qeveria amerikane është e detyruar të shpenzojë për ndihmën e jetesës për veteranët amerikanë të kësaj lufte, as nuk përfshin pagesat e ardhshme të interesit për paratë e huazuara për financimin e luftës.

Mes më të shtrenjtëve në histori – Shpenzime kolosale pra, ato që kanë harxhuar SHBA-të për luftën në Afganistan. Dhe kjo e vendos këtë konflikt, ndër më të shtrenjtit ndonjëherë në historinë amerikane të luftrave në botë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “howmuch.net”, në vitin 2019, ajo në Afganistan është lufta më e shtrenjtë pas asaj të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas luftës në Irak.
Kostot njerëzore – Sipas raportit të Institutit Watson, 241,000 njerëz kanë vdekur, si rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj lufte. Kjo shifër nuk përfshin vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet, humbjen e aksesit në ushqim, ujë, infrastrukturë ose pasoja të tjera indirekte të luftës.
Paratë për ushtrinë afgane – Paratë e shpenzuara nga SHBA për të trajnuar ushtrinë kombëtare afgane, gjithashtu duhet të shtohen në listën e kostove.
Sipas të dhënave të agjencisë amerikane të kongresit, “Special Inspector General for Afghanistan Reconstruction”, (Inspektoriati i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit), Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan, mes policisë dhe ushtrisë, rreth 8.3 miliardë dollarë për trajnim, 18.3 miliardë për pajisje, 9.2 miliardë për infrastrukturën dhe 33 miliardë për paga.
Aleatët e tjerë – Jo vetëm Amerika. Njëzet vjet luftë në Afganistan, u kushtoi miliarda vendeve të tjera aleate. Sipas “Milex”, një observator për shpenzimet ushtarake, Italia ka shpenzuar rreth 10 miliardë dollarë për këtë konflikt.
Tre herë më shumë (30 miliardë), janë shpenzimet e kryera nga Mbretëria e Bashkuar; 19 miliardë është kosto e kryer nga Gjermania.
Humbjet e jetës – Kostoja është edhe më e madhe për sa i përket jetëve të humbura. Shtetet e Bashkuara humbën 2,448 anëtarë të shërbimit të tyre, ndërsa luftonin kundër talebanëve në Afganistan dhe afro 4,000 kontraktorë civilë.

Më shumë se 66,000 ushtarë dhe policë afganë janë vrarë gjithashtu në 20 vitet e fundit që nga nisja e konfliktit.
Shifra që rriten – Për t’i vënë shifrat në perspektivë, shuma e shpenzuar për t’i mbajtur larg talebanët, është më shumë se vlera neto e kombinuar e Jeff Bezos, Elon Musk, Bill Gates dhe 30 miliarderëve më të pasur në Amerikë.
Universiteti Brown, ka bërë gjithashtu parashikimin se kostoja e interesit të borxhit të luftës afgane të Shteteve të Bashkuara, do të shkojë deri në 6.5 trilionë dollarë deri në vitin 2050.
Dhe kjo do të ngushtojë mesataren amerikane, pasi përkthehet në 20,000 dollarë për secilin qytetar amerikan.
Kostoja e civilëve është gjithashtu shumë e lartë: 47,245. Sipas shifrave të universitetit, numri i talebanëve dhe luftëtarëve të tjerë të opozitës të vrarë në luftë, është 51,191.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje