Ne rrjet

Talebanët japin konferencën e parë për mediat: Nuk duam armiq,gratë do të gëzojnë të drejta sipas sheriatit

Që pasi morën pushtetin talebanët i janë drejtuar popullit afgan për herë të parë me një mesazh ditën e sotme, 17 gusht, nga Kabuli.  Zëdhënësi Zabihullah Mujahid u shpreh para mediave se “Ky është një moment krenar për të gjithë kombin”.

 “Ne duam të sigurohemi që Afganistani nuk është më një fushë betejë konflikti. I kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam armiq të jashtëm apo të brendshëm.

Unë do të doja të siguroja bashkësinë ndërkombëtare se askush nuk do të dëmtohet. Ne nuk duam të kemi ndonjë problem me bashkësinë ndërkombëtare.

Kemi të drejtë të veprojmë sipas parimeve tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme … Afganët kanë të drejtë të kenë rregullat dhe rregulloret e tyre në përputhje me vlerat tona.

Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e sheriatit (ligjit islam). Ata do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim” tha ai.

Talebanët kishin një mesazh edhe për median, që sipas tyre nuk duhet të punojë kundër tyre.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mediave brenda kornizës sonë kulturore. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave. Ju në media duhet t’i kushtoni vëmendje mangësive tona në mënyrë që t’i shërbejmë kombit. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh. Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit”  tha Zabihullah Mujahid.

Zëdhënësi i talebanëve theksoi se media private “mund të vazhdojë të jetë e lirë dhe e pavarur“.

Kur u pyet për përkthyesit që kanë punuar me fuqitë e huaja, Zabihullah Mujahid tha “Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje. Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam që ata të largohen. Ata janë pasuria jonë.

Askush nuk do të trokasë në derën e tyre dhe nuk do t’i pyesë se për kë kanë punuar. Ata do të jenë të sigurt. Askush nuk do të merret në pyetje apo ndiqet. I kemi falur të gjithë” tha përfaqësuesi i talebanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë