Futboll

Shaqiri arrin marrëveshjen me Lion, por Liverpuli kërkon më shumë para

Rrugët e Xherdan Shaqirit me Liverpulin do të ndahen brenda kësaj merkatoje verore, por klubi anglez nuk po bindet ende financiarisht me ofertat e marra për kartonin e sulmuesit shqiptar.

Vetë Shaqiri ka arritur një marrëveshje personale me Lionin, duke rënë dakord parimisht për pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës me francezët. Por, pengesa është nga “The Reds”, të cilët për momentin kanë ngurruar që të pranojnë ofertën e Lionit, duke e cilësuar atë si financiarisht shumë poshtë çmimit të vendosur për Shaqirin.

Liverpuli kërkon 15 milionë euro për të, ndërsa përflitet se Lion ka ofruar deri në 7 milionë euro.

Dy klubet janë ende në bisedime në përpjekje për të gjetur një formulë që do të transferonte Xherdan Shaqirin në Francë dhe do të hapte vend për Liverpulin për të afruar një lojtar tjetër në skuadër.

Emri që ëndërrohet nga “The Reds” është asi norvegjez i Borusias së Dortmundit, Erling Haland. Për kartonin e tij, Liverpul përflitet se ka trokitur në derën e gjermanëve me një ofertë prej 90 milionë eurosh. Oferta është refuzuar nga Dortmund, që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e Haland, të paktën edhe për një sezon.

Emri tjetër që duket më i arritshëm është ai i gjermanit Julian Draksler. Anësori me tipare sulmuese i PSG-së, që firmosi vetëm në maj kontratën e re që e lidh me skuadrën e sheikëve deri në vitin 2024, pritet të largohet pas afrimit të Messit, për shkak të konkurrencës dhe hapësirave të ngushtuara edhe më tej për aktivizim.

Kartoni i gjermanit vlerësohet diku te 20 milionë euro, një shifër që Liverpuli mund ta përballojë pa probleme. Por, mbetet për t’u parë nëse PSG do ta lejojë largimin e gjermanit, apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë