Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, shpreson që kombëtarja që ai drejton të nisë një seri rezultatesh pozitive dhe të konfirmojë progresin e arritur në edicionin e fundit të Nations League.
Në një intervistë për italianen “Gazzetta dello Sport”, tekniku i njohur ka folur për objektivat e Shqipërisë në këto eliminatore dhe thekson se pret një seri rezultatesh pozitive nga skuadra.
“Javën e ardhshme do të kthehem në Shqipëri. Për mua është një aventurë shumë e bukur dhe shqiptarët më duan. Edhe këtu në Grado, ku ndodhem për të kaluar disa ditë plazh, kam takuar shumë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe më kanë komplimentuar për rezultatet e arritura, – tha ai. – Aktualisht po punojmë në disa drejtime njëkohësisht. Së bashku me bashkëpunëtorët kemi organizuar disa kurse për formimin e përgatitësve atletikë dhe mjekëve sportivë. Një risi absolute për futbollin në Shqipëri. Përveç këtyre, përpara kemi ndeshjet për eliminatoret e Botërorit ‘Katar 2022’ ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.
Pikërisht në këto ndeshje, Reja pret nga skuadra “konfirmime të progresit që kemi arritur gjatë edicionit të fundit në ‘Nations League’. Në pritje të sfidës së kthimit me Anglinë, objektivi ynë është që të shkojmë në këtë duel të motivuar nga një seri fitoresh e rezultatesh pozitive”, – shpjegon tekniku kuqezi.
Pas pak ditësh, kuqezinjtë nisin grumbullimin për tri takimet e rëndësishme në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Sfida e parë e Shqipërisë do të jetë në transfertë kundër Polonisë në 2 shtator. Pastaj në “Elbasan Arena” më 5 shtator kundër Hungarisë, ndërsa më 8 shtator ndaj San Marinos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje