Lugina e Pannjshirit mbetet e vetmja vatër rezistence kundër talebanëve në Afganistan, pasi militantët islamikë morën kontrollin e vendit. Ish-forcat qeveritare afgane kanë formuar atje një lëvizje rezistence, dhe po përgatiten për “konflikt afatgjatë”, por thonë se janë të gatshëm edhe të negociojnë me talebanët.

Që kur talebanët e kanë vënë Afganistanin në kontroll, pas një operacioni të shpejtë drejt kryeqytetit, Kabulit, mijëra njerëz kanë mbërritur në Pannjshir, qoftë për t’iu bashkuar rezistencës, qoftë për të gjetur një strehë për vazhdimin e jetës.
Në Panjshir, Ahmad Massoud – i biri i komandantit legjendar të muxhahedinëve, Ahmad Shah Massoud, i cili është vrarë nga Al-Kaida dy ditë para sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 – ka formuar një forcë luftarake prej rreth 9.000 personash.

Fotografitë e shkrepura gjatë stërvitjeve shfaqin dhjetëra rekrutë duke kryer ushtrime të ndryshme për t’u përgatitur për ballafaqim me talebanët.

Në fotografitë e tjera shihen edhe disa automjete të blinduara “Humvee”, duke u endur nëpër luginën që ndodhet në verilindje të Kabulit.

Fronti Kombëtar i Rezistencës ka dy objektiva kryesorë: të parandalojë gjakderdhjen e mëtejshme në Afganistan dhe të nxisë kalimin e vendit në një sistem të ri të qeverisjes

Por, sipas zëdhënësit Nazary, grupi është gjithashtu i përgatitur për konflikt, dhe nëse talebanët nuk negociojnë, ata do të përballen me rezistencë në mbarë vendin.

“Kusht për një marrëveshje për paqe me talebanët është decentralizimi – një sistem që garanton drejtësi, barazi, të drejta dhe liri për të gjithë”, ka thënë zëdhënësi i forcave të rezistencës.

Teksa talebanët kanë në kontroll pjesën më të madhe të Afganistanit, zëdhënësi i Frontit Kombëtar të Rezistencës thekson, me optimizëm, se grupet lokale të luftëtarëve në disa distrikte tashmë kanë nisur rezistencën ndaj talebanëve dhe kanë nisur bashkëpunimin me forcat e Massoudit.

Qëllimi i rezistencës aktualisht është mbrojtja e Pannjshirit dhe e popullatës së tij, ka thënë zëdhënësi Nazary.

Përveç forcës luftarake të Massoudit, në Pannjshir aktualisht ndodhen mbi 1.000 persona të zhvendosur nga zona të ndryshme të Afganistanit, sipas zëdhënësit.

Një numër intelektualësh, aktivistësh për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut, dhe politikanësh, që “ndihen të kërcënuar nga talibanët”, tani po strehohen në Pannjshir, ka treguar Nazary.

Massoud ka kërkuar armatim nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet një thirrjeje të publikuar në Washington Post.

Nazary ka thënë se ata gjithashtu kanë nevojë për ndihmë humanitare për të ushqyer dhe për t’u përkujdesur për të ardhurit.

Sipas zëdhënësit Nazary, rezistenca e Massoudit, dhe të tjera nëpër Afganistan, janë jetike për të sjellë ndryshim në vend. (REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje