Futboll

Rregullat anti-Covid, 100 lojtarë të Premier League mund të mos luajnë me kombëtaret në shtator

Skuadrat e Premier League nuk do të lejojnë lojtarët e tyre që t’u bashkohen ekipeve kombëtare për ndeshjet e shtatorit për shkak të rregullave anti-Covid në kthim, që i detyrojnë këta lojëtarë që të bëjnë karantinë 10-ditore.

Nëse nuk bëhen përjashtime nga karantina, klubet thonë se lojtarët do të detyrohen të humbasin disa ndeshje të ligës vendase për shkak të periudhës 10-ditore të izolimit të kërkuar që kërkohet me të hyrë në Britaninë e Madhe.

Shoqata e Futbollit dhe Premier League janë në bisedime me autoritetet vendimmarrëse për të parë mundësinë e zbutjes së këtyre rregullave. Probleme të ngjashme mund të kenë edhe klube të tjera në Europë.

Liverpooli është ndër klubet që refuzoi të lejojë lojtarët e vet që t’u bashkoheshin kombëtareve në ndeshje që mund të jenë vendimtare për kualifikimin e tyre në Kupën e Botës.

Katër lojtarë të “The Reds” janë ndaluar, sulmuesi i Egjiptit Mohamed Salah dhe treshja e Brazilit Alisson, Fabinho dhe Roberto Firmino, të gjithë sepse vendet e tyre janë në listën e kuqe të Britanisë së Madhe.

Shoqata Egjiptiane e Futbollit tha në faqen e saj në internet se Liverpool-i i kishte kërkuar falje për këtë vendim dhe se e kishte sqaruar në lidhje me rregullin e karantinës si pengesa e vetme dhe asnjë arsye tjetër.

“Shoqata Egjiptiane e Futbollit ka marrë një letër nga Liverpool duke kërkuar falje për pamundësinë e lojtarit të saj, Mohamed Salah, për t’u bashkuar me ekipin kombëtar në përballjen me Angolën në Kajro dhe Gabonin në Franceville gjatë ndeshjes së parë dhe raundet e dyta të kualifikimeve të kontinentit afrikan për Kupën e Botës “.

Sidoqoftë, Liverpooli ka konfirmuar se mund ta lejojë që Salah të luajë në ndeshjen jashtë fushe kundër Gabonit, për shkak se ky i fundit nuk bën pjesë në listën e kuqe të vendeve ku karantina është e detyrueshme.

Nga këto vendime preket më shumë skuadra e Brazili, që ka plot nëntë lojtarë të Premier League. Ai do të luajë me Argjentinën, Kilin dhe Perunë në kualifikueset e muajit të ardhshëm. Të katër vendet aktualisht janë në listën e kuqe të Mbretërisë së Bashkuar.

Në total janë rreth 100 lojtarë që luajnë në Angli që mund t’u ndalohet nga klubet e tyre pjesëmarrja në ndeshjet e kombëtareve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë