Ambasada Ruse në Tiranë i është përgjigjur me një shënim të gjatë reagimit të Ambasadës Amerikane të ditës së hënë, në përvjetorin e helmimit të opozitarit rus, Aleksei Navalni, ku bëhej thirrje gjithashtu për lirimin e tij.
Rusia thotë se Navalni nuk është as opozitar, as luftëtar i lirisë, por një bloger që “shëtit” në gjykatat ndërkombëtare për të përfituar.
“Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhёnia e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer”, thotë Ambasada Ruse në reagim.
Më tej në reagim akuzohet SHBA dhe Perëndimi se po i ofrojnë mbështetje Navalnit me synim destabilizimin e Rusisë.
“Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”. E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate”, mbyllet reagimi i rusëve.
Të hënën, Ambasada Amerikane në Tiranë përkujtoi përvjetorin e helmimit të Alexei Navalnit, rikthimin e tij në Rusi pas shërimit dhe më pas arrestimin dhe dënimit.
“Tashmë ka kaluar më shumë se 200 ditë pas hekurave. Ne i bëjmë thirrje qeverisë ruse të lirojë menjëherë Alexey Navalny, si dhe të gjithë ata që mbahen padrejtësisht. Populli rus ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij në mënyrë paqësore pa pasur frikë nga çdo lloj ndëshkimi”, thuhej në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
Pavarësisht këtij reagimi të rusëve, nga përfaqësia e SHBA në Tiranë nuk janë tërhequr. Ambasadorja Yuri Kim këtë herë është ndalur te Krimea. Duke kujtuar punimet në Forumin e Krimesë, Ambasadorja sjell një postim në rrjetet sociale të Elisa Spiropalit dhe fjalët e Sekretares së Energjisë së SHBA, Jen Granholm.
“Do të vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike me aleatët dhe paartnerët tanë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën Lindore. Do të mbajmë sanksionet ndaj Rusisë deri kur Rusia t’i japë fund pushtimit të Krimesë dhe agresionit në Ukrainën Lindore”, citohet sekretarja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje