Futboll

Shpëtuan Eriksenin, UEFA akordon Çmimin e Presidentit për mjekët dhe Kjaerin

Mjekët që i shpëtuan jetën Kristian Eriksenit gjatë Euro 2020 dhe kapiteni i Danimarkës, Simon Kjaer, do të nderohen me “Çmimin e Presidentit” nga UEFA. Vlerësimi bëhet për të gjithë ata persona që e shpëtuan lojtarin danez, i cili u godit nga një arrest kardiak gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë në “Parken Stadium” të Kopenhagenit, më 12 korrik.

Falë gatishmërisë dhe eksperiencës të stafit mjekësor, – shkruan UEFA në faqen e saj, – Eriksen u rikthye në jetë në fushë dhe sot është drejt rikuperimit. Çmimi shkon edhe për kapitenin Simon Kjaer, për shpejtësinë në dhënien e ndihmës për Eriksenin dhe për lidershipin e treguar.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Gazeta Si, 24 gusht 2021

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka thënë se është një vlerësim për rezultatet e jashtëzakonshme, aftësitë e shkëlqyera profesionale dhe vlerat njerëzore ekzemplare. “Ata janë heronjtë e vërtetë të Euro 2020. Për mua është një nder i madh t’u dorëzojë atyre Çmimin e Presidentit të UEFA-s.

Ky çmim do të na kujtojë gjithmonë se jeta është gjëja më e rëndësishme. Dua t’i përcjell urimet më të mira Kristian Eriksenit dhe familjes së tij”, – ka thënë mes të tjerash presidenti i UEFA-s, Ceferin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë