Futboll

Reali hap thesin, ofertë 160 milionë euro PSG-së për Kilian Mbape

Një para mbylljes së saj, merkatoja është ndezur. Real Madrid po bën të gjitha përpjekjet për blerjen e Kilian Mbape, i cili vazhdon të refuzojë rinovimin me PSG-në. Së fundi ai ka thënë se “Ligue 1 nuk është kampionati më i mirë në botë”.

Sipas profilit zyrtar në Tuiter të “El Chiringuito”, shumë afër zhvillimeve në klubin madrilen, Florentino Perez ka konfirmuar se i ka bërë një ofertë prej 160 milionë eurosh PSG-së për sulmuesin francez. Presidenti i Realit ka kërkuar gjithashtu leje për të folur me vetë lojtarin dhe njerëzit e tij të afërt.

Mbape ka refuzuar të paktën 6 propozime për rinovimin gjatë muajit të fundit. Ai ka dashur të fitojë kohë, duke synuar që peshorja të anojë nga ana e Madridit. Oferta e Perezit konfirmohet vetëm pak orë pasi “RMC” bëri me dije se klubi parisien la të hapur mundësinë e shitjes së Mbape, pas refuzimeve të vazhdueshme të këtij të fundit për rinovimin e kontratës që i skadon në qershor të 2022-shit.

Reali ka bërë lëvizjen e parë konkrete për të marrë sulmuesin që tani, duke mos pritur që ai të lirohet me parametro zero. Është një lëvizje e e rëndësishme, prej 160 milionësh. Merkatoja ndizet një javë para gongut për mbylljen e saj. Në lojë është e ardhmja e shumë lojtarëve big, mes tyre edhe Kristiano Ronaldo, që mund të marrë pikërisht vendin e Mbape në tredhëmbëshin e PSG-së me Mesin dhe Nejmarin.

Lajmi për sulmin e Realit për të marrë Mbape konfirmohet edhe nga mediet franceze, që shtojnë edhe detaje të tjera. Sipas “RMC Sport” dhe “TF1”, klubi spanjoll vërtet ka bërë një ofertë prej 160 milionë eurosh, por PSG-ja e ka refuzuar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë