Futboll

Fund i lumtur për futbollistet e Afganistanit, ikin nga Kabuli në Australi

Ishin në rrezik jete dhe për to nisi një garë solidariteti nga gjithë bota. Më në fund, futbollistet e kombëtares së Afganistanit, bashkë me disa sportistë të tjerë, ia kanë dalë të largohen nga Kabuli me një avion ushtarak australian. Lajmi është bërë i ditur nga Fifpro, sindikata botërore e futbollistëve, që ditët e fundit bëri një fushatë për të shpëtuar futbollistet.

“I jemi mirënjohëse qeverisë australiane, që mundi të evakuojë një numër të madh futbollistesh dhe sportistësh të tjerë nga Afganistani, – shkruhet në njoftimin e Fifpro. – Këto vajza të reja, qoftësi sportiste, qoftë si aktiviste, kanë qenë në rrezik dhe në emër të tyre falënderojmë komunitetin ndërkombëtar për ndihmën që u ka dhënë”.

Evakuimi i sportisteve afgane u pasqyrua edhe në shtypin australian, që në veçanti ka folur për historinë e Zakia Khudadadi, një sportiste paraolimpike e taekuondosë. Sipas “Guardian”, në avionin që transportonte edhe refugjatë të tjerë, ishte një grup prej 77 personash, ku bënin pjesë sportistë dhe familjarë të tyre, përfshirë edhe pjesëtarët e kombëtares së futbollit të femrave.

Ditët e fundit, një ekip avokatësh për të drejtat e njeriut dhe organizata të ndryshme humanitare kanë punuar 24 orë në 24 bashkë me ish-trajnerët Kelly Lindsey dhe Haley Carter, si dhe themeluesen dhe ish-kapitenen e skuadrës, Khalida Popal, për të futur emrat e futbollisteve në listën e personave që duhej të evakuoheshin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë