Politike

Alibeaj dhe Gjata mësyjnë në SPAK: Duam të dimë se çfarë ka bërë për inceneratorët

Enkelejd Alibeaj dhe Çlirim Gjata i kërkuan të mërkurën SPAK-ut që të vihet në lëvizje për inceneratorët, që sipas tyre, kanë instaluar një “skeme mafioze”

“Pas krizave mjedisore, ato të cilat kapluan fillimisht para ca kohësh Durrësin, e që vazhduan pastaj me Kavajën, tymi, flaka dhe helmi që pushtoi Fierin, tashmë radha i ka ardhur Shijakut. Nuk është thjesht një paaftësi menaxhuese e lënies së mbeturinave, plehrave, rrugëve pa kontroll, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, por është thjeshtë një skemë e pastër kriminale, mafioze për të zhvatur buxhetin e shtetit. Një skemë e cila po përsëritet në Durrës, Kavajë, Fier, tashmë Shijak me gjasa edhe në qytete e tjera”, tha Alibeaj, duke nënvizuar se kjo situatë është e qëllimshme.

“Një skemë e cila është fare e thjesht, fillimisht lihen në mënyrë të qëllimshme mbetjet, plehrat, rrugëve të qyteteve, duke vendosur në rrezik jetën e njerëzve e duke ndotur ambientin, e më pas duke krijuar natyrshëm edhe një krizë mjedisore. Një krizë mjedisore e cila shërben si alibi për të gjetur gjoja një zgjidhje e cila ka një kosto. Kosto e cila është pikërisht zhvatja e buxhetit të shtetit, në fakt zhvatja e taksave të qytetarëve të helmuar dhe të vjedhur, kjo është pra skema kriminale. Skema kriminale, skema mafioze e cila po vendoset, po implementohet në favor të klientëve të pushtetit, në favor të klientëve të Ramës menjë kosto me të vërtet të rëndë të jetës, të shëndetit të njerëzve, të mjedisit”, tha ai.

Alibeaj tha se për cështjen në fjalë PD ka depozituar edhe kallëzim penal nga SPAK duke kërkuar që kjo e fundit të vihet në lëvizje. Kjo ishte edhe arsyeja e mbërritjes së tij bashkë me Çlirim Gjatën në SPAK për të kërkuar informacion

“Rreth një vit më parë, më pak se një vit më parë ne tetor të 2020, Partia Demokratike ka depozituar 3 kallëzime në lidhje me ndërtimin e 3 inceneratorëve. Të cilët siç e tha dhe zoti Alibeaj, gjeografikisht janë pikërisht aty në qytetet rreth e qark tyre, kanë sjellë këtë ndotje të madhe të mjedisit, këtë grumbullim të jashtëzakonshëm të plehrave, për ato shkaqe mafioze që tashmë dihen. Prandaj ne sot kemi drejtuar një kërkesë SPAK-ut për informacion se çfarë ka bërë me këto kallëzime. Në ka filluar hetimi, çfarë po ndodh. Nuk është hera e parë që ne i drejtojmë SPAK-ut një kërkesë për informacion, është e drejta jonë dhe e drejtë që ta jep ligji për kallëzuesin, për viktimën dhe çfarë ndodh; këtu nuk është problemi që ne SPAK-ut po i kërkojmë sekrete hetimore. Absolutisht jo, se e dimë ligjin. Problemi është të dimë a po lëviz SPAK, a ka bërë ndonjë ndërhyrje, a ka thirrur dikë, a ka marrë ndonjë dokument, a ka dhënë ndonjë komunikim, çfarë hetimesh ka bërë”, tha Clirim Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë