Numri i njerëzve të evakuuar deri më tani nga Afganistani nga SHBA, Britania e Madhe, Italia dhe vende të tjera pas marrjes së Kabulit nga talebanët, është rritur në të paktën 82,300.
Sipas televizionit britanik BBC dhe mediave të tjera, në 24 orët e fundit, ushtria amerikane ka zhvendosur 20,000 njerëz nga Kabuli, ndërsa Londra vjen e dyta sa i takon evakimeve, duke arritur në 10.000 që nga fillimi i operacioneve.
Njerëzit që konsiderohen më të rrezikuar – përfshirë të huajt – janë rreth 300,000 vetëm duke numëruar ish-bashkëpunëtorët afganë të misionit të NATO-s. Largimi i të gjithëve deri më 31 gusht do të jetë e pamundur.
Ndërkohë, Franca i ka kapur të gjithë në befasi dhe i ka filluar evakuimet në Afganistan që në muajin maj. Shumë kohë përpara partnerëve të tij perëndimorë, të cilët ende kërkojnë një shtyrje për tërheqjen përfundimtare, Macron kishte filluar të organizonte largimin e 600 afganëve nga vendi.
Vendimi ka dalë nga analizat shumë pesimiste që tashmë qarkullonin në atë kohë mbi të ardhmen e Afganistanit. Nëse fillimisht u kritikua, sot vendimi përshëndetet si një mision i përmbushur.
Sipas gazetës britanike “Daily Telegraph”, Ministri i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian dhe Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, Clément Beaune, nuk dështuan të theksojnë aftësinë e qeverisë së tyre për të parashikuar.
Gazeta britanike citon gjithashtu Lordin Ricketts, një ish-ambasador britanik në Francë, i cili po vë në dyshim edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka “lidhje më të forta me Uashingtonin”, “distanca relative” e Francës e ka ndihmuar atë “të nxjerrë përfundimet e veta dhe të veprojë shpejt”, pa u “ndjerë e detyruar në një koordinim të ngurtë me SHBA-të”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje