Futboll

FIFA kundër Anglisë dhe Spanjës: Lejoni lojtarët të shkojnë në kombëtare!

Lejimi i lojtarëve nga klubet për grumbullimin me kombëtaret e tyre për ndeshjet e shtatorit është një çështje urgjente dhe shumë e rëndësishme. “Duhet të tregojmë solidaritet”, – ka thënë presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, duke dhënë një mesazh për Premier Ligën dhe Ligën, që nuk duan t’i lejojnë lojtarët të shkojnë në kombëtare për kualifikueset e Botërorit 2022.

“Anglia dhe Spanja kanë edhe përgjegjësinë për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin sportiv të kompeticioneve në gjithë botën, – ka shtuar Infantino, i cili ka kërkuar kryeministrit Boris Xhonson të zgjidhë çështjen e karantinës. – Kam sugjeruar që të aplikohet modeli i Euro 2020”.

Selia e FIFA-s. Gazeta Si, 26 gusht 2021

Ky qëndrim i kreut të FIFA-s vjen pas vendimit të Liverpulit për të mos lejuar Salah t’i bashkohet Egjiptit për ndeshjet kualifikuese të Katar 2022 kundër Angolës dhe Gabonit. Janë të dy vende që Britania e Madhe i ka në listën e zonës së kuqe dhe lojtari duhet t’i nënshtrohej një karantine të paktën 10-ditore, duke humbur 2 ndeshje kampionati. Këtu nis lufta mes FIFA-s dhe Premier Ligës dhe Ligës.

“Kemi përballuar së bashku problemet globale në të shkuarën dhe duhet ta bëjmë edhe në të ardhmen, – shkruan Infantino. – Lejimi i futbollistëve për ndeshjet ndërkombëtare është diçka urgjente dhe e rëndësishme. Kam besim për mbështetje dhe bashkëpunim nga shumë protagonistë në këtë periudhë të vështirë. Kemi treguar unitet në luftën Covid-19 dhe kërkoj nga të gjithë që të lejojnë lojtarët për ndeshjet kualifikuese të Botërorit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë