Bota

Rreth 100.000 njerëz janë evakuuar deri më tani nga Afganistani

Rreth 13.400 njerëz u evakuuan me aeroplan nga Afganistani të mërkurën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Ky e çon numrin total të të shpërngulurve nga SHBA dhe partnerët e saj të koalicionit në rreth 95.700 që nga 14 gushti.

Ndërkohë, më shumë se 14.500 të evakuuar nga Afganistani kanë zbarkuar në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, objekti më i madh i Forcave Ajrore të SHBA jashtë Amerikës. Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se pavarësisht ritmit të transportit ajror, Departamenti i Shtetit vendosi se deri në 1.500 qytetarë amerikanë mund të qëndrojnë ende në terren në Afganistan.

SHBA i qëndron tërheqjes së trupave deri më 31 gusht, që nënkupton edhe fundin e fluturimeve të ushtrive perëndimore.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer u shpreh për rritjen e presionit të kohës, sipas pikëpamjes gjermane. “Hapësira kohore për evakuime, e cila nuk u konkretizua, po zvogëlohet gjithnjë e më shumë”, tha ministrja gjermane.

Edhe Turqia ka filluar të tërheqë trupat nga Afganistani. Më parë ishte thënë, se trupat turke do të sigurojnë aeroportin e Kabulit edhe përtej misionit të NATO-s. Nuk dihet ende saktë, nëse njerëzit mund të udhëtojnë nga aeroporti i Kabulit edhe pas datës 31 gusht. Talibanët kanë siguruar, se do të mundësojnë largimin në siguri të njerëzve edhe përtej 31 gushtit, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Edhe sipas të dhënave të qeverisë gjermane, talibanët kanë premtuar se do të lejojnë largimin e afganëve pas 31 gushtit. Por realiteti do të duket pas kësaj date.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë