Bota

Kabul, kamikazi hidhet në erë pranë aeroportit. Të paktën 90 të vdekur, mes tyre 12 ushtarë amerikanë

Dy shpërthime të fuqishme kanë ndodhur në hyrjen e portës Abbey, në aeroportin e Kabulit, ku operojnë trupat amerikane dhe britanike. Mediat ndërkombëtare raportojnë se bëhet fjalë për një sulm kamikaz, ku kanë humbur jetën të paktën 90 persona dhe janë plagosur 140 të tjerë në mesin e civilëve afganë. Mes viktimave raportohet edhe për dhjetëra fëmijë.

Sipas televizionit amerikan “Fox News”, i cili citon zyrtarë ushtarakë të SHBA-ve, në mesin e të vdekurve nga shpërthimet, kanë humbur jetën të paktën edhe 12 ushtarë amerikanë, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur.

Sulmi është marrë përsipër nga dega e Shtetit Islamik afgan, e quajtur ndryshe ISIS-Khorasan, e cila lufton kundër talebanëve.

Lajmi u konfirmua edhe nga sekretari i shtypit të Pentagonit, John Kirby në Twitter. Pas hedhjes në erë nga një kamikaz, ka nddodhur një shpërthim i dytë, i cili u pasua edhe nga disa të shtëna me armë zjarri.

Lajmi vjen në një kohë kur disa vende Perëndimore kanë njoftuar se do t’u japin fund fluturimeve të evakuimit pas paralajmërimeve për sulme të mundshme.

Paralajmërimi u dha nga disa shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Afganëve që u mblodhën rreth aeroportit ndërkombëtar të Kabulit, “Hamid Karzai”, iu tha që të largoheshin dhe të lëviznin në një vend të sigurt.

Të gjitha hyrjet e aeroportit të Kabulit, ku kontrolloheshin dokumentet e mijëra civilëve që iknin nga Afganistani, u mbyllën pas sulmit vetëvrasës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë