Politike

Katër dorëheqje ende pa u betuar, Mark Marku do të zëvendësohet nga deputetja e “opozitës parlamentare”

Katër deputetë të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit kanë dhënë dorëheqjen pa e marrë detyrën, nëse në këtë listë do të përfshijmë edhe kreun e Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi.

Doshi njoftoi dorëheqjen fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, ku PSD e drejtuar prej tij siguroi tre mandate, dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Vetë Doshi e pati vënë emrin në krye të listës së kandidatëve në të dyja qarqet. Ai njoftoi dorëheqjen pas përplasjes me Ambasadën Amerikane, që e përmendi nominalisht se ai nuk duhet të jetë në Parlamentin e ri.

Dorëheqja e dytë ishte vullnetare; ajo e Gramoz Ruçit. I renditur i dhjeti në Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi njoftoi tërheqjen e plotë nga politika pas më shumë se tre dekadash në PS, ku në pjesën më të madhe të kësaj kohe ishte numri 2 i partisë.

Dorëheqja e tretë ishte ajo e Najada Çomos. Drejtorja e Spitalit Infektiv nuk e njoftoi vetë vendimin, por atë e komunikoi Kryeministri Edi Rama që tha se kishte marrë një kërkesë nga vetë Çomo, që i kishte kërkuar të vazhdonte detyrën si mjekë në një kohë që rastet me Covid po shtohen.

Çomo pritet të zëvendësohet në Kuvend nga Mimi Kodheli, që fillimisht renditej e 21-ta mes kandidatëve socialistë të Tiranës, por që pas rirenditjes për shkak të thyerjes së herësit nga Orlando Rakipi dhe Fatmir Xhafaj kaloi e 20-ta.

Dorëheqja e Mark Markut është e katërta dhe e vetmja nga radhët e opozitës. Vendimi i tij nuk lidhet me asnjë prej faktorëve të tre dorëhoqjeve të mësipërme, por me përplasjet e brendshme në PD. Vendi i lënë bosh prej Markut i takon Elda Hotit të Partisë Republikane dhe deputete e legjislaturës që lamë pas si pjesë e së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë