Futboll

Kapelo e thotë qartë: Kristiano Ronaldo iku, sepse nuk besonte më te Juventusi

Largimi i Kristiano Ronaldos nga Juventusi ka lënë pas shumë diskutime në Itali. Arrigo Saki, një nga më të mëdhenjtë e trajningut italian, ka thënë se Italia ka humbur solistin kryesor. Hapur dhe qartë ka folur edhe Fabio Kapelo, një tjetër ish-trajner i madh. Ai ka theksuar se Ronaldo nuk kishte më besim te Juventusi dhe se dështimet në Champions kanë ndikuar në vendimin e tij.

“Mançester Junajtid e ka lançuar dhe aty ai do të mbyllë karrierën, do të përjetojë në çdo rast një perëndim të bukur. Në futboll këto gjëra kanë gjithmonë ndikimin e tyre. Besoj se Ronaldo te Junajtid është “happy end”-i i duhur”, – ka thënë fillimisht Kapelo.

Fabio Kapelo, ish-trajneri i njohur italian. Gazeta Si, 28 gusht 2021

Pastaj ai komenton faktin se futbolli italian ka humbur shumë me largimin e portugezit, por edhe të Lukakut: “Sigurisht, kjo është një histori, që e ridimensionon futbollin tonë. I ka ndodhur edhe Spanjës me ikjen e Mesit. Po ta shohësh mirë, është një verë që ka prishur disa ekuilibra. Kanë ndryshuar skuadër dy lojtarët më të mirë që kanë shkruar historinë në 10 vitet e fundit. Serie A ka humbur një pjesë të bukurisë së saj, por besoj se Europiani do të jetë një shtysë për të rinjtë. Futbolli është përherë në lëvizje”.

Pse iku Ronaldo? Kapelo përgjigjet: “Mendoj se ai ka bërë vlerësimin e tij mbi Juventusin aktual. Në vizionin e tij, Juventusi i sotëm nuk e ka fuqinë për t’u imponuar në nivelin ndërkombëtar. Pas tri vitesh dështim në përpjekjet për Championsin, me shumë mundësi, është kjo arsyeja kryesore e largimit.

Unë e kam respektuar gjithmonë figurën e lojtarit të jashtëzakonshëm. Për mua janë kampionët e mëdhenj që i bëjnë skuadrat të fitojnë, por në anën tjetër, një lojtar i vetëm nuk mund të jetë vendimtar, pa një orkestër shumë të mirë nga pas. Kampionëve, pavarësisht moshës, nuk u thuhet kurrë “jo” në princip, pastaj është i rëndësishëm koteksti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë