Uragani “Ida” në SHBA, është përforcuar dhe rritur në kategorinë 4 (nga pesë që është maksimumi i shkallës së kategorive) me erëra që mund të arrijnë në 248 km / orë.
Lajmi u raportua nga Qendra Kombëtare e Shteteve të Bashkuara për Uraganet. Aeroporti i Nju Orlinsit ka anuluar të gjitha fluturimet që nisen dhe mbërrijnë, në funksion të të uruaganit “Ida”, i cili duhet të prekë brigjet e Luizianës në orët e ardhshme.
Zyrtarët nga Ochsner Health, i cili drejton rrjetin më të madh spitalor të shtetit, thanë se konsideruan evakuimin e disa prej objekteve të tyre që ndodhen afër bregdetit, por ideja u përjashtua, sepse nuk ishte e zbatueshme, duke parë mbingarkesën e tyre për shkak të Covid 19. Rreth 15 spitalet e tyre janë në zona potencialisht të prekura nga “Ida”.
Autoritetet bënë thirrje për evakuime vullnetare dhe të detyrueshme për qytetet dhe komunitetet në të gjithë rajonin. Në Nju Orlins, kryebashkiakja urdhëroi një evakuim të detyrueshëm për zonat jashtë sistemit të argjinaturave mbrojtëse të qytetit dhe një evakuim vullnetar për banorët brenda sistemit.
Por meqenëse stuhia u përshkallëzua shpejt në intensitet, kryebashkiakja LaToya Cantrell, tha se nuk ishte e mundur të urdhëronte një evakuim të detyrueshëm për të gjithë qytetin, i cili do të kërkonte përdorimin e të gjitha korsive të disa autostradave për t’u larguar nga qyteti.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të shtunën se ka folur me guvernatorët e shteteve në rajonin e Gjirit të Meksikës dhe ka koordinuar veprimet me kompanitë e energjisë në përgatitje të stuhisë së fuqishme që pritet të arrijë tokën në orët e vona të së dielës.
Stuhia pritet të ulet në tokë pikërisht në datën kur uragani “Katrina”, shkatërroi një pjesë të madhe të Bregut të Gjirit, 16 vjet më parë. Por, ndërsa ai ishte i kategorisë 3 kur zbarkoi në jugperëndim të Nju Orlinsit, “Ida” pritet të arrijë të jetë një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm i kategorisë 4.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










Lini një Përgjigje