Politike

Drejtuesit e rinj, Basha “spastron” kundërshtarët e kritikët

Asnjë prej tre kandidatëve që rivalizuan Lulzim Bashën në garën për kryetar të Partisë Demokratike dhe asnjë prej kritikëve që i dolën kundër pas 25 prillit nuk do të jetë në drejtim të strukturave të partisë dhe as në pozicionet që i takojnë opozitës në Kuvend.

Dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho do të largohen nga këto pozicione. Të dy ata patën vërejtje për analizën e rezultatit zgjedhor të hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ku qarqet Korçë dhe Durrës bënin pjesë te qarqet që nuk kishin kapur objektivin minimal.

Tjetër ndryshim në këto pozicione është edhe shtimi nga dy në katër i nënkryetarëve. Emrat e rinj do të jenë Enkelejd Alibeaj, që njëkohësisht do të propozohet edhe për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe Alfred Rushaj. Jorida Tabaku dhe Grida Duma do të jenë dy nënkryetaret e tjera.

Veç pozicionit si nënkryetar, Alfred Rushaj do të zëvendësojë Edmond Spahon edhe si kryetar grupi parlamentar. Spaho e mbante këtë pozicion deri para djegies së mandateve nga ana e opozitës. Nënkryetarët e tij në këtë grup do të jenë Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi.

Bujar Nishani do të zëvendësohet në krye të Këshillit Kombëtar nga Edi Paloka, ndërsa te ndarja e komisioneve parlamentare, Agron Shehaj humbet postin te ai i ekonomisë, që e mbante para djegies së mandateve. Vendin e tij do ta zerë Sorina Koti. Ndërkohë, Oerd Bylykbashi do të rikthehet te ligjet, Flamur Noka te Siguria Kombëtar, Tomor Alizoti te politika e jashtme dhe Sorina Koti te ekonomia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë